Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka prezantuar sot Drejtori i ri të Shërbimit të Provës, Ervin Hoxha. Ky i fundit e mori këtë detyrë, pas vendimit të Këshillit të Ministrave. Gjatë prezantimit, z. Manja ka kërkuar zbatimin e ligjit nga trupa e specialistëve të Shërbimit të Provës.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, thotë se “Shërbimi i Provës është një hallkë e rëndësishme e gjithë sistemit të drejtësisë, që shërben në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar nga gjykata”.
“Nuk do të lejoj, dhe e bëra të qartë si kristali sot, që specialistët e këtij shërbimi ta përdorin mandatin e shtetit për qëllime të errëta kafeneve e restoranteve të Shqipërisë duke thyer besimin e qytetarëve dhe të shtetit.
Kam besim se drejtori i ri, Ervin Hoxha, që sapo u prezantua, ndan të njëjtat qëndrime, synime dhe vizion me mua. Ne jemi në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Nëse ndokush mendon ndryshe, duhet të shkëputet vetë, ose do ta shkëpusim ne. Ligji, e drejta dhe qytetarët janë të parët“, shkruan ministri Manja në Facebook.