Kryeministri Edi Rama, deklaroi se fitimi i mandatit të tretë nga Partia Socialiste, erdhi pasi kjo forcë politike ka luftuar që në sytë e njerëzve të mos ishte një parti që identifikohet me pushtetin, por me ndryshimin.
Gjatë fjalës së tij në edicionin e 23-të “Symi Symposium”, organizuar e drejtuar nga ish-kryeministri George Papandreou në Athinë, Rama u shpreh se vendi ka shënuar progres, dhe është shumë më mirë se 8 vite më parë.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë tha se është treguar i sinqertë me njerëzit, duke i thënë se ka ende punë për të bërë, megjithatë sipas tij, vendi është në drejtimin e duhur drejt ndryshimit.
Edi Rama: ”Ne fituam mandatin e tretë dhe besoj se mbi të gjitha ia dolëm pasi gjatë gjithë kohës kemi luftuar që të mos bëhemi asnjëherë një parti që identifikohet me pushtetin, por të mbetemi në sytë e njerëzve partia që identifikohet me ndryshimin dhe për ta bërë këtë kemi luftuar gjatë gjithë kohës për të ndryshuar e ndryshuar partinë tonë. Jemi përpjekur të sjellim njerëz nga fusha të ndryshme të jetës dhe të kemi një sinergji në sytë e publikut midis çfarë dhe kujt identifikohet partia dhe atyre që shihen si përfaqësues të drejtpërdrejt të njerëzve. Kjo mendoj ka qenë e para.
“Me sa duket për njerëzit është më në fund e qartë se kjo është rruga drejt progresit dhe se puna duhet përfunduar. Shumë gjëra janë më mirë nga ç’ishin, por ka shumë gjëra që duhet të jenë më mirë. Jemi përpjekur të jemi përherë mjaft të sinqertë me njerëzit duke iu thënë se nëse e krahasojmë atë çka kemi bërë me atë që duhet të bëjmë jemi ende larg të themi po ia dolëm. Sigurisht ajo që kemi bërë mjafton jo për të qenë t’u kënaqur por për të qenë të sigurt se kjo është rruga. Mendoj se rezultatet janë të dukshme për të krijuar mendimi ne përgjithshëm se puna është në progres dhe është në drejtimi ne duhur. Kemi pasur një perceptim mjaft të qëndrueshëm për këtë drejtim të duhur që ka qenë njëfarësoj gjithmonë rruga për ne”.