Mançester Junajtid provon përsëri për Kiezën: gati oferta 80 milionëshe

Kieza  është një nga anët e bukura të Juventusit të këtij sezoni. Ish lojtari i Fiores ka tërhequr edhe një herë vëmendjen e Mançester Junajtidit në tregun e transferimeve.

Një nga sukseset e merkatos së fundit verore është padyshim Federiko Kieza, i cili menjëherë provoi se është një faktor i rëndësishëm për ekipin kampion të Italisë. Djaloshi  i lindur në 1997-ën ka tërhequr vëmendjen si për nga performanca ashtu edhe për sa i përket realizimeve: 12 gola të përgjithshëm këtë sezondhe 10 asistime. Kieza ishte më i miri në fushë mbrëmjen e Ligës së Kampionëve në Allianz Stadium kundër Portos, por nuk mjaftoi për të shmangur një eliminim përvëlues.

Performanca ndaj Portos duket se ka rikthyer interesimin e djajve të Junajtidit. Britanikët vështirë se do të jenë në gjendje të rrëmbejnë Sanchon nga Borusia Dortmund dhe kanë kthyer vëmendjen përsëri te Kieza siç shkruan portali ‘Todofichajes.com’.

‘Djajtë e Kuq’ kishin provuar transferimin që në kohën e Fiorentinës, para përpjekjeve vendimtare të Juves.

Tani United mund të provojë përsëri, me Kiezën që do të ishte një nga emrat më të favorizuar në listën e trajnerit Solskjaer. Për momentin drejtuesit e Juventusit nuk do të kishin ndërmend ta privonin veten nga talenti 23-vjeçar, por një ofertë prej 75-80 milion eurosh mund të ndryshojë kartat dhe ta bëjë ‘Zonjën e Vjetër’ të reflektojë.