Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur në lidhje me lehtësimin e masave kufizuese të koronavirusit.
E ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, Manastirliu tha se që të ketë një pasqyrë më të qartë të efekteve që sjell lehtësimi i masave, duhet njohur koeficienti i riprodhimit.
Ministrja tha se ky koeficient do të vlerësohet për periudhën kohore 27 prill deri më 11 maj. Sipas saj, kjo do të ndihmojë për të vlerësuar se si ka ndikuar hapja e parë, në koeficientin e numrit mesatar.
Ministrja theksoi se nëse trendi i infektimeve është i ulët, atëherë do të vijohet me masat e tjera lehtësuese.
“Ajo që është e rëndësishme është se për të njohur koeficentin e riprodhimit, duhet të kemi të dhëna shumë. Zakonisht kjo periudhë është dy javore. Kemi thënë se do ta masim nga 27 prilli. Ne po bëjmë vlerësim që do të përfundojë më 11 maj për të parë si ka ndikuar hapja e parë në koeficientin e numrit mesatar. Do të shohim se çfarë efekti dhe impakti ka pasur. Të gjitha shenjat, distancimi social, është e rëndësishme që të respektohen kushtet. Vetëm kështu mund të mbajmë koeficentin e riprodhimit nën 1”, tha ajo.