Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, komentoi situatën ekonomike të krijuar në vendin time për shkak të pandemisë së Covid-19.
I ftuar në rubrikën ”Opinion” në ”News24”, Malaj u shpreh se pandemia ka ndikuar në ekonomi, dhe se qeveria duhet që të veprojë me program.
Për Malaj, vaksinimi i popullatës duhet bërë sa më shpejt, me qëllim që të mos humbasim sezonin turistik, pasi do ishte katastrofë për ekonominë shqiptare.
Arben Malaj: ”Unë besoj se do ketë një lloj impakt negativ. Unë i ndjek ecurinë e vendit tim. Dëgjova me vëmendje doktor Alihemetin, që thoshte ok do shkurtojmë oraret, por do rrisim numrin brenda orarit që lejohet të njerëzve brenda një klubi dhe kjo do na sjellë prapë të njëjtën gjë. Sigurisht ka këndvështrime të ndryshme. Kur qeveria jep masa parandaluese, duhet të komunikojë me qytetarin, punonjësin, me punëdhënësin, me punëmarrësin. Nëse nuk ka harmoni në kohë, krijohen shumë plagë sociale, se vret sëmundja, por vret edhe papunësia e varfëria.
Shtresat sociale në nevojë duhet të mos jenë viktima të një krize që zgjatet në kohë. Mbyllja 2-javore është një masë e mirë, por unë besoj se nuk është përfundimtare dhe ne do kemi specifikën tonë se do jemi në fushatë elektorale.
Thelbi i asaj që duam të sensibilizojmë është fakti që qeveria duhet të gjejë të gjitha mënyrat që të ndihmojë që vaksinimi në Shqipëri të ecë, nmë mënyrë që të mos humbim sezonin turistik, se do ishte një goditje e rëndë në ekonomi në tërësi.”