Nga Mero Baze/ Ka dy konfuzione të mëdha në ligjërimin politik të opozitës sot. Konfuzioni i parë është diferenca mes frymëzuesve të linjës së ashpër të opozitës, kryesisht gazetarë propogandistë të ish- së majtës së vjetër, që tani janë me Bashën dhe Kryemadhin, dhe vetë drejtuesve të opozitës, në raport me Perëndimin. Frymëzuesit e opozitës, ose mbështetësit ideologjik të aktit të saj, janë të qartë dhe thonë se Perëndimi është kundër opozitës dhe se duhet bërë betejë edhe me Perëndimin, ndërsa Basha dhe Kryemadhi po harxhojnë energji, para dhe kohë, në Perëndim, për të treguar të kundërtën.
Konfuzioni i dytë lidhet e dhunën. Jashtë Shqipërisë, në SHBA dhe Londër, Basha dhe Kryemadhi dënuan dhunën dhe premtuan se nuk do aplikohet më në strategjinë e tyre, ndërsa në Tiranë premtimi i vetëm që ata kanë për 30 qershorin është dhuna.
Këto dy konfuzione të mëdha të opozitës, në fakt tregojnë më shumë makthin që lidershipi i opozitës ka për bilancin e betejës që ka nisur, se sa ndonjë ide të qartë se çfarë do të bëjnë.
Konfuzioni i tyre i parë, ai i raportit me Perëndimin, bën qesharake gjithë historinë e tyre. Duke qenë të qartë se do ta kishin Perëndimin kundër, ata nisën një betejë edhe kundër Perëndimit. Dhe në këtë pikë, Fatos Lubonja ka të drejtë. Perëndimi nuk është se po ndihmon Edi Ramën të shtypë opozitën, por është kundër opozitës.
Tani Lulzim Basha duhet ta ndajë mendjen nëse do ta ketë Perëndimin me vete, apo jo. Për ta pasur me vete duhet të ndryshojë rrugë, jo të ndryshojë bileta udhëtimi, se ato nuk zgjidhin gjë.
Ai duhet të heqë dorë nga bojkoti i zgjedhjeve, që dhe ashtu, s’ka shumë kohë, dhe të konsiderojë gabim dhe të dënojë djegien e mandateve, si një akt që prish rregullat e lojës në demokraci. Këto nuk ka fuqi t’i bëjë, kështu që nuk ka fuqi as ta riparojë ftohjen me Perëndimin.
Edhe kur flet për dhunë, duhet të jetë i qartë. Për të pesta protestat në Tiranë ka paralajmëruar përmbysje të dhunshme pushteti, por në fakt ka rrezikuar vetëm jetë policësh, duke përdorur bombën artizanale “Molotov”, që mund ta djegë një polic për tre minuta. Fatmirësisht akoma nuk kemi ndonjë viktimë, por dëshirën për viktima, opozita e ka shprehur hapur.
Pas shuplakës ndaj Kryemadhit në SHBA ,lidhur me dhunën, dhe asaj ndaj Bashës në Londër, tani retorika e dhunës po kalon tek nivelet e dyta, si Tit Vasili, Çlirim Gjata , Edi Paloka etj.
Problemi është se Lulzim Basha ngjan më shumë i frikësuar nga dhuna që përmend, se sa nga rezultatet e saj. E gjithë retorika e dhunës i ngjan atyre pijanecëve që zihen në klube lagjeje, të cilët janë në dyshim për forcën e tjetrit, që duan të sulmojnë, dhe thonë atë shprehjen e famëshme, “Mbamëni se do ta vras”.
Edhe këto thirrjet e Bashës e Krymadhit janë të tilla. Ata flasin për dhunën që do të përdorin një ditë, që do të jetë e tmerrshme, që do t’i shpëtojë ata nga zhdukja, por në fakt duket që kanë frikë pikërisht se do zhduken nëse e përdorin.
Është më shumë makthi i tyre se sa forca e tyre. Kanë makth se askush nuk do t’i mbajë të qëllojnë, dhe prapë ata nuk do mundin dot të qëllojnë.