Siç ndodh në të gjitha kampionatet europiane, edhe në Belgjikë ndeshjet zhvillohen me dyer të mbyllura dhe pa tifozë, për shkak të pandemisë së Covid-19.
E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen e Kupës së Belgjikës, mes Anderlehtit dhe St. Giloise, në fushën e këtyre të fundit. Megjithatë, pavarësisht se ndeshja luhej pa tifozë, ishin pikërisht këta të fundit, që u bënë shkak për ndërprerjen e saj për disa minuta.
Tifozët vendas, në minutat e para të ndeshjes, ishin mbledhur jashtë stadiumit për të mbështetur skuadrën e tyre. Nuk mungonin koret dhe flakadanët, për t’i dhënë zemër lojtarëve.
Madje shkuan deri aty, sa flakadanët i hodhën nga jashtë stadiumit, brenda në fushë, duke bërë kështu që ndeshja të ndërpritej për pak minuta dhe më pas të fillonte përsëri.
Anderlehti u kualifikua për më tej, duke triumfuar me shifrat e thella 5-0 dhe duke mos e vendosur për asnjë moment në dyshim kualifikimin.