Analisti Fatos Lubonja deklaroi se një nga pasojat e luftës në Siri do të jetë emigrimi. I ftuar në “News24”, Lubonja u shpreh se kurdët mund të vijnë edhe në Shqipëri.
“Një nga pasojat është emigrimi. Ku do ikin kurdët? Ata do të ikin, po tentojnë të shkojnë në Evropë, por edhe në Shqipëri e Greqi. Natyrisht, raporti ynë me Turqinë ndërlikohet. Kjo mund të çojë deri në largimin e Turqisë nga NATO. Pasojat janë të paparashikuara”, tha Lubonja.
Sipas tij, vizioni i Evropës ka qenë ideja e një konfederate, si SHBA, që do quhej Shtetet e Bashkuara të Evropës. “Në vend të kësaj është ndërtuar një Evropë e bankave, që iu intereson vetëm pasurimi i tyre. Kështu që, Evropa sot është në një moment dobësie. Lajm i botës është ajo që ndodh në Siri dhe kritikat ndaj Evropës. Është një rrezik lufte ndërhyrja e Rusisë në Siri. Po të ishim pjesë e një Evrope ndryshe do të merreshim shumë me këto probleme”, theksoi analisti.