Zëvendës kryetari i LSI-së Luan Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook i shtron një pyetje publike kryeministrit Edi Rama lidhur me një mjek që është dërguar në Itali.
Sipas Luan Ramës përflitet se në përbërje të grupit të mjekëve dhe infermierëve që shkuan për t’iu bërë krah Italisë në këtë kohë të vështirë prej pandemisë së koronavirusit, janë përfshirë edhe njerëz që nuk kanë lidhje me mjekësinë.
“Madje thuhet se njëri ndër ta, i quajtur Qazim Ismaili, paska qenë punëtor në një pikë karburanti në Vorë deri dy ditë përpara se të nisej për në Itali! Cila është e vërteta zoti Kryeministër?”- pyet Luan Rama.
Reagimi i plotë i tij: “Pa koment, pa politikë:
Fisnikëri e përbaltur prej mashtrimit, apo baltë mbi një akt fisnikërie?
Zoti Kryeministër, ju e keni për detyrë të thoni si është e vërteta!
Në disa portale janë publikuar lajme, sipas të cilave, në përbërje të grupit të mjekëve dhe infermierëve që shkuan për t’iu bërë krah Italisë mike në këtë kohë të vështirë prej pandemisë së koronavirusit, janë përfshirë edhe njerëz që nuk kanë lidhje me mjekësinë!
Madje thuhet se njëri ndër ta, i quajtur Qazim Ismaili, paska qenë punëtor në një pikë karburanti në Vorë deri dy ditë përpara se të nisej për në Itali!
Cila është e vërteta zoti Kryeministër?
Mashtrimi në çdo kohë është i dënueshëm, por mashtrimi kur tjetri është në hall dhe fatkeqësi është dy herë krim e njëmijë herë poshtërsi!
Ndaj duhet, e përsëris, duhet të thoni cila është e vërteta!
Jemi përpara fisnikërisë së përbaltur prej mashtrimit qeveritar, apo përballë përbaltjes mbi një akt fisnikërie e solidariteti shqiptar?
Cila është e vërteta zoti Kryeministër?!…
Shqiptarët duhet ta dinë”.