Edi Rama ndodhet në Progër, ku po zhvillon një bashkëbisedim me fermerët e zonës. Kryeministri i dha një përgjigje Metës, lidhur me hamendësimet se LSI-ja do të dalë forcë e parë politike.
Rama tha se të gjithë duan të dalin të parët, kurse PS-ja është e para, nuk ka nevojë të dalë e para, por synon të paktën 71 vota.
Gjithashtu, kryeministri ka komentuar shtrëngimin e duarve me Bashën, ndërsa kërkoi votën e demokratëve.
FJALA E RAMËS:
“LSI-ja do të dalë e para, PD-ja do të dalë e para, ne jemi të parët, s’kemi nevojë të dalim të parët. Do luftojmë me mish e me shpirt që të gjitha reformat që kemi bërë dhe të marrim 71 vota minimumi.
Kështu që tjerët duan të dalin të parët, ne duam të marrim 71 vota. Të parët do mbetemi edhe po të mos duam, po puna është të dalim nga kjo betejë të gatshëm për të luftuar betejat për të gjitha gjërat që duam.
Bëmë shumë mirë që ua dhamë dorën, kush ndihet më mirë, ai që e jep, apo ai që merr? Lum kush jep, megjithëse kjo është pak e ngatërruar. Demokratët duhet të garantojnë këtë proces, tani unë mund të them “Votoni Partinë Socialiste”. Treguam që jemi të ndryshëm dhe ata na kanë një borxh të vogël të na japin një votë.
Mbas asaj që ndodhi para 48 orësh, gjithçka ndodh në këtë vend.”/ TIRANA TODAY