Lëvizja Socialiste për Integrim dënon rrepte qëndrimin e Kryeministrit dhe qeverisë, sipas saj promovues dhe mbrojtës të dhunës dhe krimit në vend.
Në një deklaratë për mediat pas arrestimit të djalit të deputetit socialist, LSI thotë se gjarja shumë e rëndë e dhunimit të një vajzë të thjeshtë në Fushë Krujë dhe fshehja e sa nga strukturat qeveritare që u bënë palë me deputetët e inkriminuar në të është provë se shteti është kapur totalisht nga krimi.
LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores me shërbim të qeverisë por të hetojë me themel dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në fshehjen dhe manipulimin shtetëror të ngjarjes qofshin këta kryeministra, deputetë, pjesëtarë të policisë, prokurorë etj.
“Të hetohen të gjithë veprimet e mosveprimet që sollën në këtë trajtim kriminal të çështjes duke luajtur në mënyrë flagrante me jetën dhe integritetin e një vajze të re të pambrojtur.
Të hetohet sjellja skandaloze e shtetit në raport me nënkomisarin Emiljano Nuhu dhe roli i çdo personi me detyrë shtetërore që ka influencuar negativisht e ka penguar në ushtrimin e detyrës të z.Nuhu”.
Po kështu LSI kërkon të hetohet nga prokuroria shpërdorimi i detyrës nga kryeministri Edi Rama që ka kërcënuar e kanosur publikisht z.Emiljano Nuhu vetëm sepse ai denoncoi të vërtetën e fshehur nga shteti.
LSI thekson se është e vendosur të luftojë deri në fund për zbardhjen e këtyre të vërtetave të cilat janë tashmë para syve të çdo shqiptari.
LSI thotë se Qeverinë e zhytur deri në grykë nuk e shpëton dot asgjë dhe opozita së bashku me qytetarët do ta thonë shumë fort fjalën e tyre kundra përdhunuesve e mbështetësve të krimit të veshur me pushtet.