E shtunë, 12 Qershor, 2021
27.5 C
Tirana

Lotaria Kombëtare me humbje, austriakët drejt largimit nga Shqipëria

Kompania austriake që menaxhon Lotarinë Kombëtare pritet të largohet nga Shqipëria pas përfundimit të vlefshmërisë së licencës së fituar në vitin 2012.

Burime pranë kompanisë bëjnë të ditur se performanca e dobët e kompanisë që prej fillimit të aktivitetit ka bërë që aksionerët të orientohen drejt vendimit për të mos e rinovuar licencën 10-vjeçare.

Albanisch Osterreichische Lotterien Holding e mori licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare në vjeshtën e vitit 2012, ndërsa ajo u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars 2013 dhe kjo mund të konsiderohet si data efektive e hyrjes në fuqi të koncesionit. Pasqyrat financiare të kompanisë tregojnë se deri në fund të vitit 2019 kompania kishte akumuluar humbje totale në vlerën e 2.7 miliardë lekëve ose gati 22 milionë eurove. Për të mbuluar humbjet, aksioneri ka kryer injektime periodike të kapitalit në shoqërinë shqiptare, injektime që kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2020 dhe 2021.

Sipas analizës financiare të menaxherëve të shoqërisë, humbjet i atribuohen fazës fillestare, që përfshin investime dhe shpenzime mjaft të larta në marketing, zhvillimeve të tregut dhe performancës së pakënaqshme të produkteve. Në vitin 2016, 100% të aksioneve të shoqërisë mëmë dhe kontrolluese e tërhortë e lotarisë Kombëtare Österreichische Lotterien Gesellschaft m.b.H. u blenë nga Novomatic Gaming Industries. Kalimi i pronësisë u plotësua në 30 nëntor 2016, me përmbushjen e kushteve të mbylljes siç është përcaktuar në këtë marrëveshje, në përputhje me aprovimet e kërkuara nga autoritetet përkatëse në Shqipëri si një parakusht për transferimin e pronësisë.

Në vijim të ndryshimit të pronësisë, Lotaria Kombëtare ka rishikuar strategjinë e biznesit dhe strukturën operacionale, duke e përshtatur atë më shumë me nevojat e tregut lokal dhe duke optimizuar portofolin e produkteve. Megjithatë, performanca e kompanisë nuk ka shënuar përmirësime të dukshme në shifra. Vetëm për vitin 2019, shoqëria realizoi humbje neto në vlerën e 354 milionë lekëve, në rritje me 15% krahasuar me vitin 2018.

Burimet bëjnë të ditur se kompania ka kërkuar nga qeveria shqiptare një zgjerim të aktiviteteve të lojërave të fatit të lejuar në licencë, me qëllim operimin në aktivitete të ngjashme me ato të kazinove. Por, qeveria shqiptare nuk e ka miratuar një kërkesë e tillë dhe kjo i ka shtyrë austriakët të mendojnë largimin, duke qenë se aktivitetet e deritanishme nuk po rezultojnë fitimprurëse. Biznesi i Lotarisë Kombëtare mbështetet kryesisht te biletat gërvishtëse dhe te lojërat me përzgjedhje të numrave me short.

Dhënia e licencës së Lotarisë Kombëtare në vitin 2012 ishte një proces që u shoqërua me akuza të ashpra nga opozita dhe nga kompani të tjera të interesuara. Lotaria Kombëtare raporton në pasqyrat e saj financiare se ka paguar 500 milionë lekë për marrjen e licencës 10 vjeçare. Opozita e atëhershme dhe dy kompani të tjera të interesuara pretendonin se licenca të këtij lloji vlenin 10 herë më shumë dhe e akuzuan qeverinë shqiptare për garë me kritere përjashtuese, me qëllim paracaktimin e fituesit.

Pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013 çështja e licencës së Lotarisë Kombëtare nuk u prek më nga qeveria e re. Megjithatë, vitet në vijim treguan se për austriakët marrja e kësaj licence nuk rezultoi një biznes shumë i leverdishëm. /Monitor

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shpërthimi i kontrolluar i ‘gjobës’ Becchetti

Nga: Agim Baçi Dikur qarkullonte në internet një letër që një vajzë i dërgonte së ëmës, e cila në thelbin e saj lidhej me gjetjen...

Uells-Zvicër/ Pjesa e parë pa gola, portierët vendimtarë me pritjet e tyre

Ka përfunduar me rrjeta të paprekura, pjesa e parë e ndjeshjes midis Zvicrës dhe Uellsit. Një 45 minutësh ku spektakël dhuruan portierët e skuadrave...

Vrasja e 20-vjeçares në Greqi, zbulohet makina me të cilën janë larguar autorët

Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e 20-vjeçare britanike Caroline, e ndodhur pak javë më parë në Greqi. Në emisionin e gazetarit grek...

Fati i kryetarit të PD-së, 3 kandidatët që do të sfidojnë Lulzim Bashën

Nga: Marsela Sinani Lulzim Basha 47 vjeç, Fatbardh Kadilli 55 vjeç, Edith Harxhi 48 vjeçe dhe Agron Shehaj 44 vjeç, aderojnë në të njëjtën parti,...

Salianji: Gruevski si Rama mori mandat të tretë, por ra brenda një viti

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka bërë një paralelizëm të situatës aktuale politike në Shqipëri, të asaj para disa viteve në...