Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj shprehet se Ambasada Amerikane është treguar mjaft e qartë në njohjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Cakaj, i ftuar në emisionin “Opinion”, deklaroi se SHBA i ka njohur zgjedhjet në mënyrë të qartë, duke parashikuar fillimin e detyrës së kandidatëve të zgjedhur.
Sipas tij, edhe institucione të tjera ndërkombëtare janë shprehur pro mbarëvajtjes së procesit të votimit dhe e kanë njohur procesin zgjedhor.
Sa i përket zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, të OSBE-ODIHR-it, Ministri tha se me gjithë mundësinë ligjore të opozitës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me rezultatin, njohja e zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar ka qenë e paekuivok.
Kujtojmë që ditën e djeshme pati deklarata lidhur me zgjedhjet nga misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-it, nga Ambasada Amerikane dhe Komisioni Evropian.