Prej 17 majit profili në rrjetin Facebook i Arlind Qorit, kreu i Lëvizjes Bashkë, e cila fitoi një vend në parlament pas zgjedhjeve të 11 majit dhe 24 mijë e 600 vota në rang vendi, është pezulluar pasi u sulmua me raportime jo të vërteta se është profil i rremë apo imitues.
“Ma kanë kthyer dy herë, herën e parë rreth 30 minuta dhe herën e dytë më pak se 1 minutë, dhe sërish ma kanë pezulluar. Pra tre pezullime rresht”, tha Qori për BIRN. Qori tha se profili i tij ishte i verifikuar nga Facebook dhe kishte shenjën blu të profileve që janë verifikuar dhe që u përkasin personazheve publike.
Për kreun e Lëvizjes Bashkë sulmi ndaj profilit të tij është i organizuar dhe i qëllimtë. “Më gjerësisht, jam i mendimit se një sulm i tillë ka natyrë politike pasi unë jo vetëm jam kryetar i një partie opozitare, por edhe postimet e mia kanë vetëm natyrë politike”, thotë ai. Qori thotë se postimet e tij kanë qenë strikt etike.
Qori tha se dyshonte që forcat pas sulmit ishin të lidhura me pushtetin. “Me sa duket, pushteti i sotëm, i cili është i vetmi që ka burimet për të organizuar sulme të tilla, është mjaft i shqetësuar që një parti si Lëvizja BASHKË do të përfaqësohet në Kuvend”, tha ai, duke përmendur qëndrimet e Lëvizjes kundër korrupsionit dhe oligarkisë dhe fitimin e një vendi në kuvend pavarësisht një gare shumë të pabarabartë.
Kjo nuk është hera e parë që Qori dhe Lëvizja Bashkë janë viktima të sulmeve kibernetike. Më herët gjatë fushatës elektorale faqe anonime në Instagram dhe Facebook përdorën dezinformimin për të sulmuar Qorin, deputetin e zgjedhur Redi Muçi dhe Lëvizjen Bashkë. Sulme të ngjashme u përdorën edhe ndaj forcave të tjera opozitare.