Kryesore

Lleshaj në takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit: Merrni masa


               Publikuar në : 13:53 - 14/08/19 Enno

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, të cilët raportuan për gjendjen e sigurisë dhe të rendit publik në vend.

Lleshaj u shpreh se nevojitet një intensifikim i punës së drejtuesve dhe strukturave të PSH-së, kundër veprimtarisë së rëndë kriminale në vend.

Njoftimi i ministrisë së Brendshme:

Sezoni i suksesshëm turistik ka sjellë si rezultat që Shqipëria të ketë aktualisht rreth dy herë më shumë banorë sesa në ditët e zakonshme të vitit. Bashkë me rritjen e jashtëzakonshme të numrit të përgjithshëm të njerëzve në vend, janë rritur shumë edhe sfidat dhe problemet me të cilat duhet të merret Policia e Shtetit, e cila është po ajo.

Ai kërkoi gjithashtu nga Policia e Shtetit që të rrisë përpjekjet parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë periudhë për qëllime kriminale.

Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarje kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim.

“Presingu” i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikqyrja parandaluese ndaj tyre, kontrollet e mjediseve të frekuentuara prej tyre, e automjeteve dhe e veprimeve u përcaktuan si detyrë e dorës së parë

Lleshaj vuri theks të veçantë në masat kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, ku evidentoi nevojen për vigjilencë të pandërprerë në këtë fushë.

Të njëjtën vigjilencë kërkoi ai edhe në mbrojtjen nga zjarret në vend në kushtet e thatësirës dhe temperaturave të larta, duke përcaktuar detyra për të gjtha strukturat e PSH.

Një çështje që mori vëmendje të shtuar në takim ishte lufta kundër korrupsionit në radhët e vetë strukturave policore. Duke evidentuar numrin e shtuar të punonjësve të Policisë që janë arrestuar apo që janë në proces hetimi penal për korrupsion, Ministri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të PSH, ndaj të cilëve kërkoi përgjegjësi maksimale në goditjen e çdo rasti të korrupsionit dhe të cënimit të integritetit në radhët e Policisë së Shtetit.

Në kushtet e volumeve shumë të shtuara të angazhimit të PSH, e cila ka kapacitete të limituara njerëzore, teknike dhe financiare, e vetmja rrugë e arsyeshme për sukses është bashkëpunimi efektiv me publikun. Në këtë drejtim u kërkua përmirësim i komunikimit, tërheqje efektive e informacionit dhe reagim i shpejtë ndaj tij. Mbetet sfidë e rëndësishme e PSH gjetja e rrugëve për rritjen e pjesëmarrjes së publikut në shërbim të sigurisë. Kushdo është i ftuar të ndajë me Policinë çdo informacion për persona të botës së krimit, ngjarje kriminale, kundërvajtje të ndryshme penale, armëmbajtje pa leje, shkelje të rregullave të qarkullimit, zjarreve etj.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT