Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka inauguruar sot godinën e Policisë Kufitare në Han të Hotit. Lleshaj, në fjalën e tij ka theksuar se do të ketë një investim 45 milionë lekë, për krijimin e kushteve për të përmirësuar nivelin e cilësisë së shërbimit në pikat kufitare. Sipas tij, shërbimet kanë një impakt edhe te zhvillimi i turizmit. Ministri vuri në dukje se fluksi turistik ka ardhur në rritje të vazhdueshme, dhe kemi një rritje thuajse 10% nga viti i kaluar të fluksit turistik.
“Ne duhet t’i përmirësojmë portat e hyrjes së Shqipërisë, ato duhet të jenë dinjitoze, të lira për kalimin e rregullt dhe të pakalueshme për kalimin e parregullt. Sot kompletojmë këtë pikë kufitare, dhe një nyje e rëndësishnme për vendin tonë. Kompletimi në infrastrukturë, por ajo që vjen është kompletimi në shërbim.
Jo vetëm do ofrojmë shërbime moderne për qytetarët, por edhe të besueshëm. Investimi 45 milionë lekë krijon kushte për të përmirësuar nivelin e cilësisë së shërbimit tonë. Të gjitha këto kanë impakt edhe te zhvillimi i turizmit. Fluksi turistik ka ardhur në rritje të vazhdueshme, dhe kemi një rritje thuajse 10% nga viti i kaluar të fluksit turistik.
Me qëllim që të përballojmë më mirë flukset turistike, duhet të përgjigjemi me investime të shtuara, ndaj do modernizojmë të gjitha pikat e kalimit kufitar. Përveç investimit në infrastrukturë, e rëndësishme është investimi në procedurat e kalimit të kufirit, që mos të ketë fluks. Punonjësit e policisë kufitare duhet të jenë në lartësinë e duhur, me integritet të lartë profesional e moral”, ka deklaruar Lleshaj.