Lidhur me ligjin për Eurobondin, kryeministri Rama ka dalë kundër kritikëve, duke i kërkuar që të shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve. Me anë të disa statuseve në Twitter, Rama iu kthehet keq kritikëve.
Sipas tij, përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj. Kreu i qeverisë citon më tej se tregjet e thanë sot se ky vend që s’u thye nga tërmeti e s’u gjunjëzua nga Covidi, do dalë më i fortë nga të dyja.
Ai thotë se Shqipëria është vlerësuar në mënyrë spektakolare në tregjet ndërkombëtare për Eurobondin prej 650 milion euro.
Madje shton se ndihet krenar si kreu i qeverisë, dhe sulmon opozitën që sipas tij, nuk dinë t’i gëzohen asnjë të mire të këtij vendi.
Në datë 4 qershor, Kuvendi miratoi ligjin për daljen në tregjet ndërkombëtare për Eurobondin, ndërsa pas komunikimit me Presidentin Meta, ky i fundit e dekretoi menjëherë.
“Ah po, se mos harroj, meqë është në modë krahasimi me vendet përreth, le t’i marrin e t’i krahasojnë tani përgjigjet e tregjeve për secilin prej vendeve,që së fundi kanë dalë për Eurobondin në kërkim të financimit të ekonomive postCovid!E di e di, të fundit dalil prapë, 7×7=42
Dhe natyrisht, kur një vend arrin këtë rezultat spektakolar në një kohë kaq të vështirë dhe megjithë vajtojcat që e qajnë dhe shajnë përditë, nuk ka se si të mos jesh krenar si kryetar i qeverisë, për librin e llogarive të shtetit që merr një vlerësim kaq spektakolar nga tregjet!
Meqë këta nuk dinë t’i gëzohen asnjë të mire të këtij vendi dhe meqë unë nuk i konsideroj shpulla për ta sukseset e Shqipërisë, u them se doni s’doni ju, edhe tregjet e thanë sot se ky vend që s’u thye nga tërmeti e s’u gjunjëzua nga Covidi, do dalë më i fortë nga të dyja
Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj!”.