Editorial - Opinione

Ligji anti-shpifje, tre pushtete në një


               Publikuar në : 10:08 - 13/12/19 M S

Nga: Ervis Iljazaj

Shtetet e Bashkuara konsiderohen si një nga vendet me demokraci më të zhvilluar në botë. Dhe jo rastësisht, Kushtetuta e ShBA në nenin e parë të saj ka lirinë e fjalës, dhe përcakton se Kongresi nuk mund të aprovojë asnjë ligj që e cënon atë. Rastet e bujshme në gjykatat e Shteteve të Bashkuara ku janë përplasur qeveria dhe media, në pothuajse  në të gjitha vendimet gjykata  i kanë dhënë përparësi lirisë së fjalës, pavarësisht se në ndonjë rast fjala mund ta kishte kaluar hapësirën e lirisë së saj. Sepse ajo shoqëri e di mjaft mirë, që kushti thelbësor për një shoqëri demokratike është liria e fjalës. Prandaj, më mirë për një demorkaci është që ajo të ekzistojë e lirë, qoftë edhe duke abuzuar me të në ndonjë rast, se sa të jetë e kontrolluar nga qeveria dhe pushteti.

Giovanni Sartori, kur e pyesnin se çfarë ishte demokracia për të shpreheshe se : ‘’nuk është gjë tjetër veçse qeverisja e opinion publik’’. Mirëpo, kushti thelbësor që ajo të funksionojë është  se duhet të kemi një  opinionin publik të informuar. Demokracia do të thotë pushteti i popullit, por pa lirinë e fjalës dhe një popull të informuar, ai kthehet në një instrument në dorë të pushtetit, dhe si pasojë nuk kemi të bëjmë më me një regjim demokratik.

Përk këtë arsye, përplasja e pushtetit me fjalën e lirë dhe median ekzisotn prej shumë kohësh, pasi media është ajo që duhet të kontrollojë pushtetin. Dhe, duke qenë se pushteti është patologjik, nuk kërkon të ketë asnjë limit në ushtrimin e tij. Kështu që , kjo është një betejë e vashdueshme jo vetëm në Shqipëri.

Në Shqipëri , në këtë drejtim, po kryhet ndoshta një nga aktet që cënon rëndë kushtin thelbësor të një demokracie, atë  të fjalës së lirë dhe informacionit. Jo vetëm në aspektin politik dhe shoqëror të saj, por sidmos në këndvështrimin e shtetit së të drejtës. Pa hyrë në detaje, me pak fjalë ky ligj parashikon që kur mediat vizive nxjerrin lajme të pavërteta, ato do konsiderohen shpifje nga AMA , dhe si pasojë televizionet mund të gjobiten ose mund edhe të mbyllen. Po ashtu ligji parashikon që media licencohen po te AMA. Ndërsa për mediat elektronike, me të njëjtin logjikë do të funksionojë AKEP.

Shteti i së drejtës ka në thelb dy parime, të cilat shkelen me të dyja këmbët nga ky ligj, për mos të folur për ndikimin që ai ka në garën politike dhe demokracinë.

I pari është ndarja e pushteteve, dhe i dyti, mbrotja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nga pushteti politik, pra nga qeveria.

Për sa i përket parimit të parë ligji anti-shpifje është rasti tipik ku tre pushtetet përqëndrohen në një dorë të vetme, ai ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Këtë ligj e ka dashur kryeministri dhe Parlamenti e ka aprovuar me direktiv të tij, do ta ekzekutojë po kryeministri nëpërmjet AMA-s dhe AKEP, dhe do ta  gjykojë po kryeministri nëpërmjet këtyre dy organeve administrative. Është absurde të mendosh që shpifja është një kundravajtje ligjore dhe kjo kundravajtje nuk gjykohet nga një gjykatë, por nga një organ adminsitrativ. Sepse të vërtetosh nëse një lajm është shpifje ose jo duhet një proces i rregullt gjyqësor ku të ketë një palë paditëse dhe të akuzuar që mbrohen me prova shkencore dhe duhen vërtetuar qëllimshmëria. Pra, të dënosh një person, ka nevojë që shkelja të vërtetohet nëpërmjet një procesi të rregullt.

Nërsa për sa i përket parimit të dytë të shtetit të së drejtës, atë të mbrojtjes të së drejtave të njeriut nga pushtetit, edhe ai shkelet plotësisht. Liria e fjalës është një e drejtë themelore e njeriut e sanksionuar në pjesën e parë të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe në këtë kuptim, duhet të mbrohet nga pengimi i saj nga qeveria. Ndërsa në këtë rast po ndodh totalisht e kundërta, është qeveria ajo që po mbrohet nga liria e fjalës.

Sigurisht që edhe liria e fjalës, si çdo liri tjetër duhet të rregullohet dhe disiplinohet që mos të abuzohet me të. Por, gjykimin nëse abuzohet me të ose jo nuk mund ta bëjë një organ administrativ dhe qeveria. E para sepse qeveria është në konflikt interesi. Dhe e dyta, sepse në një shtetet të së drejtës konfliktet midis pushteteve dhe kufizimi i një të drejte, aq më tepër themelore, vendoset vetëm nga gjykata dhe nga asnjë institucion tjetër. /Gazeta Liberale

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT