Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka përshëndetur themelimin e Ligës Unike të basketbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Cakaj thotë se kjo ligë do të mundësojë jo vetëm cilësi shumë më të mirë të lojërave, por edhe hapësirë shumë më të madhe për zhvillimin e talenteve të reja të basketbollit.
“Vlera e Ligës Unike megjithatë shkon shumë përtej fushës së basketbollit. Ajo është edhe veprim më shumë drejt thellimit të integrimit mes dy vendeve”, shkruan ai.
Ministri Cakaj thekson se puna e pakursyer për ta zgjeruar bashkëpunimin e thelluar të marrëdhënieve mes Kosovës, Shqipërisë e gjithë shqiptarëve do të vijojë.