Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi të cilën e shpalli të pavlefshme, dhe kësisoj edhe Qeveria Hoti nuk është më legjitime.
Nagavci tha në T7 se tani është e qartë se vendi shume shpejt do të shkojë në zgjedhje të reja dhe qeveria legjitime do të kthehet në pushtet.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e konfirmon atë që e kemi thënë vazhdimisht, se Qeveria Hoti ka qenë e paligjshme. Vendimi ishte goxha i gjatë nuk munda ta lexoj të tërin. Është e qartë se shpejt do të kemi zgjedhje të reja dhe do të kthehet qeveria legjitime në pushtet”, tha Nagavci.
Vendi pritet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh, meqë Gjykata Kushtetuese ka kontstatuar që vota e deputetit, Etem Arifi, pro krijimit të Qeverisë Hoti, ka qenë e pavlefshme, shkruan Gazeta Express.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte krijuar Qeverinë e re pas rrëzimit të Kurtit në Kuvendin e Kosovës me një mocion mosbesimi. Në Qeveri Hoti i kishte marrë edhe AAK-në dhe NISMA-n, duke krijuar kështu një Qeveri e cila në vazhdimësi ka qenë e brishtë me numra.