Nga: Mentor Nazarko
Dita e shtunë dhe e hënë ishte e ngjeshur me ngjarje politike, duke nisur me intervistën e zv.ndihmëssekretarit amerikan, Mathew Palmer; protesta e opozitës; si dhe vendimi i Presidentit për të shfuqizuar dekretin e tij për shpalljen e datës së zgjedhjeve më 30 qershor.
Të tria këto ngjarje janë zhvilluar brenda harkut kohor të një dite, por me shumë lidhje me njëra-tjetrën. Dalja e së hënës e Presidentit vetëm sa konfirmoi lidhjen mes tri ngjarjeve. Palmeri kërkoi një intervistim te “Top Channel”, meqenëse do zhvillohej protesta; Meta vendosi të bënte publik vendimin e tij para protestës. Ndërkohë, qëndrimi i tij është reagim flakë për flakë ndaj Palmerit, në një ditë si e shtuna, kur administratat ndërkombëtare nuk kanë nge të merren me Shqipërinë. Të hënën ai nuk shtoi referenca kushtetuese për veprimin e tij, një precedent në aksionin presidencial. Por le t’i marrim me radhë ngjarjet.
INTERVISTA E MATHEW PALMER
Në intervistën e zv.ndihmëssekretarit të SHBA-ve, njeriut më të rëndësishëm të administratës amerikane, që merret me Shqipërinë në baza ditore, së pari, u bë krejt e qartë, se SHBA-të ishin të vendosura për të dënuar çdo shfaqje dhune, duke kërcënuar drejtuesit e opozitës me bllokimin e udhëtimit në drejtim të SHBA-ve. Listë e zezë, me një fjalë.
Së dyti, me paralajmërimin për shefat e opozitës të cilët kanë pasur mundësi të zhvillonin dhe protesta paqësore kur donin, protesta mori goditje të rëndë në atë që do të duhet të ishte forca e saj: dhuna si element kërcënues për Ramën. Në mitologjinë e protestuesve dhe një pjese të drejtuesve të opozitës, Rama përflitet si një njeri që ka frikë, ndaj për këtë arsye sa më shumë që të bëhet dhunë, aq më madhe do të jetë frika e tij. Kësisoj, marrja e vendimeve nën atë efekt, duke supozuar se edhe mund të jepte dorëheqjen, do favorizonte opozitën. Mirëpo, doli se opozita kishte frikë prej Amerikës, me të drejtë. Goditja prej saj ishte e fortë, sa Presidenti Meta shpalli të shtunën një veprim që e firmosi të hënën. Sovrani nuk foli si premtoi Basha, por foli Presidenti.
Në një kontekst të tillë, opozita mori prej SHBA-ve një goditje të fortë, jo thjesht për atë se iu hoqën armët më të forta. U prodhua një protestë, e cila, në përgjithësi, përgjatë asaj që do ishte pjesa zyrtare, u zhvillua në kufi normalë me një skenografi kërcënimi viziv – qelitë e burgut -, ndoshta më efektive madje se sa dhuna.
Së treti, u pa se SHBA-të i konsiderojnë zgjedhjet e qershorit si të ligjshme. Dhe as dëgjojnë nga veshi ku vijnë ankesat e opozitës.
QËNDRIMI I PRESIDENTIT META
E veçanta e kësaj situate të krijuar është qëndrimi i Presidentit Meta, i cili mu si përgjigje ndaj Palmerit i dha një dorë opozitës, por hapi dhe dyert për zhvillime të reja. Ai është brenda së drejtës së vet për ta interpretuar situatën në këtë mënyrë: zhvillimi paralel i zgjedhjeve dhe i protestave destabilizojnë vendin, ndaj unë ndërmora një vendim që mund të çojë palët në tryezë. Pak a shumë, këtë tha të hënën, dhe në linjë me të ishte dhe qëndrimi i deputetit të CDU-së që krijoi idenë se Meta mund të kishte folur me të. Ndonëse palët nuk ia kanë kërkuar këtë veprim, ai si President mund të veprojë në kuadër të papërcaktueshmërisë kushtetuese, sipas parimit “çdo gjë që nuk ndalohet, lejohet”. Ky qëndrim presidencial ka tri plane, në të cilat mund të analizohet:
KËNDVËSHTRIMI KUSHTETUES
Ky është një veprim, i cili, duam apo s’duam, e ka një precedent te ngjarjet e 2017-s, në marrëveshjen Rama-Basha, kur Presidenti Nishani u detyrua që t’i nënshtrohej një vendimi të partive politike dhe të shfuqizonte një dekret të tijin për zgjedhjet, t’i shtynte ato për disa ditë. Madje, edhe Presidenti Moisiu ka shtyrë zgjedhjet, duke rishikuar dekretin e vet të mëparshëm. Meta ka bërë vetëm gjysmën e tyre, ka shfuqizuar dekretin e vet, por pa caktuar një datë tjetër zgjedhjesh, diçka që e bën qëndrimin e vet të atakueshëm. Tashmë, sipas kësaj optike, palët detyrohen të ulen në tryezë: radha e veprimeve është përmbysur. Në këtë kuptim, dilema, nëse ky dekret është apo s’është në përputhje me Kushtetutën, është e pakuptimtë edhe për një arsye tjetër. Sepse, Meta është duke shfrytëzuar mungesën e Gjykatës Kushtetuese si institucion, i cili mund të thirrej për t’u shprehur me një procedurë të përshpejtuar për ta shpallur si kushtetues ose jo veprimin e tij.
Duke synuar të legjitimojnë veprimet e veta pas faktit, Qeveria supozohet se do ta konsiderojë si jokushtetues vendimin e Presidentit Meta dhe, për pasojë, do të zhvillojë zgjedhjet, të cilat në një kuptim kanë humbur një lloj legjitimimi, ndonëse roli i Presidentit në certifikimin e zgjedhjeve është tërësisht i kufizuar. Mundësia e për dorimit të Gjykatës Administrative është e kufizuar: ky dekret nuk duket se është me karakter individual administrativ.
Pasoja më imediate, që mund të vijë prej një shfuqizimi të një dekreti të tillë, është që Presidenti Meta të thotë, se nuk i njeh institucionet që do dalin nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Me veprimin e tij, në pikëpamje legale, Meta luajti në një hapësirë të mungesës së institucioneve kushtetuese. Është kjo një mungesë të cilën ai e evidenton si një nga problemet më të mëdha të Reformës në Drejtësi dhe që mori përgjigje në një farë mënyre tek intervista e Mattheë Palmerit, i cili thoshte se nuk mund të presim që gjyqtarët të kapur për gabime të mëdha të vendosin për gjëra të rëndësishme kushtetuese.
KËNDVËSHTRIMI POLITIK
Meta reagoi pikërisht kur opozita mori një goditje publike, të fortë nga ana e SHBA-ve. Në një moment të tillë, veprimi i presidentit Meta ishte ekuilibrues, sepse ndihmoi të dobëtin, në kuptimin që: kur kjo dalje e administratës amerikane në favor të qeverisë e fuqizonte Ramën akoma më shumë, ky veprim i Metës dhe Presidentit si institucion i dha një lloj ngushëllimi opozitës, e cila ishte zotuar që 8 qershori do të ishte dita e fundit e qeverisjes. Por nga ana tjetër është një lëvizje, e cila e ka brenda embrionin e krizës, domethënë thellimit të saj. PS do duhet të reagonte me maturi, larg thirrjeve për kokëfortësi. Ndonëse Meta vepron qartë në favor të opozitës, gjuha ndaj tij duhet të mbetet institucionale, ashtu si dhe mjetet.
Meta e kishte bërë të qartë disa javë më parë, se do të përfshihej në mënyrë të vendosur në ekuilibrimin e lojës në skenën politike shqiptare dhe e bëri këtë jo nëpërmjet dorëheqjes së tij sipas modelit kilian; jo nëpërmjet shpërndarjes së Parlamentit si përflitej, por nëpërmjet shfuqizimit të dekretit të tij, një veprim që siç u tha më lart, është me karakter të qartë politik.
A MUND TË SHKARKOHET PRESIDENTI?
Hipoteza e shkarkimit, ndonëse numrat dhe mund të bëhen, do të duhet të vërtetohet nga Gjykata Kushtetuese, kështu që deri në një rrethanë të tillë, pra krijimin dhe fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, një veprim i tillë do të mbetet i varur në ajër. Edhe sikur të bëhen numrat dhe qeveria të mos e njohë Presidentin, kjo do ishte situatë absurde. E paprecedent. Firma e noterit duhet. Shumë procese do ishin të paplota dhe me legjitimitet të dyshimtë. Shterimi i iniciativës së shkarkimit do shtojë konfliktualitetin ndërinstitucional dhe Gjykata Kushtetuese do ta ketë të vështirë të provojë se kjo është një shkelje e rëndë e Kushtetutës. Kushtetuta, në fakt, do duhej të kishte radhë tjetër veprimesh: në fillim do duhej të shprehej Gjykata, pastaj të vendoste Parlamenti. Kësisoj, kërcënimi i Ramës ka efekt të kufizuar kohor.
SKENARË PËR ZGJIDHJEN E KRIZËS
Veprimi i Metës besohet se nuk do të tensionojë situatën, për një arsye që ngjan paradoksale edhe sipas një pandehje, e cila mund të vërtetohet në ditën e zgjedhjeve. Mund të ndalen protestat. Po ashtu, një veprim si ky i Presidentit ka vlerë vetëm për një pjesë të popullit, atë opozitar. Mesazhi i Presidentit për ta është se zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë legjitime, për pasojë, ato as nuk do duhet të kontestohen. Sipas një narrative që do kultivohet deri në zhvillimin e tyre, në kokën e popullit opozitar do të besohet se këto zgjedhje nuk do të prodhojnë institucione të ligjshme, pra janë zgjedhje fiktive.
Kjo narrativë supozohet që, bashkë me presionet ndërkombëtare, do ta bëjë aksionin opozitar më të përmbajtur, apo që të duket edhe më i panevojshëm. Pra, në njëfarë kuptimi, ngjan se veprimi i Metës, paradoksalisht mund ta shfryjë veprimin agresiv opozitar në sulmimin e zgjedhjeve. Natyrisht, këtu duhet shtuar edhe presioni amerikan, presion i fortë jo thjesht për udhëheqësit e opozitës, por edhe për ata që marrin pjesë në protesta, në një vend kur numri i aplikantëve për lotarinë amerikane është shumë i madh. Hapësira për ulje në tryezë është krijuar megjithatë.
Do duhet kuptuar që një përzierje e tillë e ngjarjeve, megjithatë është parathënëse e një imazhi të shtetit shqiptar, kaotik në sytë e botës.
Në fund të fundit: kjo lëvizje ngjan ekuilibruese, si një kamerdare shpëtimi për një opozitë të dëshpëruar në kushtet e mungesës së mbështetjes ndërkombëtare nga asnjë institucion, shtet apo grup shtetesh. Opozita mori prej Presidentit një karamele ngushëlluese, e cila megjithatë mund të ketë vlerën e përforcimit për ndonjë skenar të zgjidhjes së krizës, që mund të arrihet me negociata, sigurisht pas 30 qershorit, datë e cila konsiderohet si dita e parashikuar në Kodin Zgjedhor. Perëndimorët supozohet se do të insistojnë që ato të zhvillohen dhe vetëm pas tyre mund të kemi negociata…./Konica.al