E diel, 28 Nëntor, 2021
13.5 C
Tirana

Letër Ditmirit nga Parlamenti

Nga: Agron Gjekmarkaj

I dashur Ditmir,

E di që po të bren malli për shokët e Partisë e mbi të gjitha për betejat e mëdha që ata po bëjnë. Ti doje të ishe aty në front ku lufta ndizet zhari. Kjo ndodh se je shpirtdhembshur e aspak cinik. E patëm lënë të piqeshim e të llafoseshim, por pasi lideri të dha dorën e të rifuti në kryesinë e partisë, duke ta krypur shpresën për një tjetër avenir si xhingëlmingël, në dekorin e tij, s’u bërë më i gjallë.

Gjithmonë Bushatlinjve u ka ecur me malësorët, se baruti i tyre i mbronte, e tha edhe Doktori “ndihma e Zotit, pushka e Hotit” derisa gjaku i ndonjërit u bë hirrë dhe Edi Rama i dukej si Sulltan Sulejmani. Ti e di që priftërinjtë u bënin politikën e jashtme, një nga të mitë jua la edhe të shkruar Erazmo Balneun. Nejse, ka shumë për të rrëfyer e kohë përpara do kemi. Po e filloj nga fundi. Dje u mblodh Këshilli Kombëtar i integrimit. Kryetarja Joridë dhe nënkryetarja Etildë kolliteshin sa me të këputë shpirtin, xhani po u dilte nga kraharori, raporti u kishte shkaktuar alergji. Por le te kthehemi te ajo që ndodh në sallë. Partinë e ke të fortë dhe të bashkuar rreth liderit.

Askush nuk e vë në diskutim shenjtërinë dhe pagabueshmërinë e tij. Tani kjo është dogmë teologjike, ndërtuar nga misteri i besimit. Kryetarja e dashur e Parlamentit, Zonja Linditë, edhe pse është më lart nga të gjithë, shfaqet e përunjur se ajo e di që lartësia është vetëm e atij. Kjo vetëdije është shenjë virtyti. Ai vetë vjen here pas here e na këqyr, sidomos ne të opozitës me dashuri e dëlirje, pastaj na këshillon atërisht, pastaj ngre preshin si satelit në hapësirë dhe ikën i vuajtur nga moskuptimet tragjike, fat i njerëzve të mëdhenj.

Qeveria duket si koshere bletësh punëtore. Madje, si bletë ngjajnë edhe Ahmetaj, Nikua yt, Ulsiu dhe Bledi për nga entuziazmi. Elisa vishet më bukur nga të gjithë, krejt si Ashraf Gani me ngjyra të forta. Teze Mirela na sheh me sytë e liderit dhe psherëtin: “Fali Zot se nuk dinë ç’bëjnë”. Taulanti, edhe pse nuk u bë kryetar Parlamenti siç i takonte e mideja ia lypte dhe u shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, shfaqet më i gëzuari sepse ai, ashtu si ti e di, që Lideri ju do të mirën dhe gjykimi i tij është i drejtë. Ju ka si evlatër, po ju herë pas here e lodhni e plakni, more qafira. E kam në krah qerratain Taon e shkëmbejmë edhe ndonjë romuz se unë i përshëndes socialistet njësoj si para edhe pas kamerave. Damua, edhe pse u promovua, nuk shfaq gëzim, qesh ndonjëherë mbyturazi, por me masë. Re të zeza me gjasë e turbullojnë. Klosi rri i heshtur plot babaxhanllëk.

Lexo edhe :   Një demagog i pandreqshëm, i paaftë, mëkatar dhe ende i rrezikshëm

Në këtë kohë, fjalët e tepërta janë fukarallëk. Ka raste që nga zemra e hapësirës dëgjohet ndonjë sokëllimë, mos kij dert, është zëri i popullit në gojën e Braçes që vikat kundër padrejtësive, në pamundësi që ta bëjë kundër Ramës që me një të fryrë bulçinjtë e nxori nga zyra. Me Mimin kemi lënë një kafe, mbase më ndihmon të përmirësoj raportet me personazhet e mi të satirave, që ti e di se i kam lënduar nga pak, por pa të keq, se më pëlqen të qesh pak sa me veten, po aq me të tjerët. E mora seriozisht komplimentin që më bërë kur më pe si dekor i zonjës Gridë!

Lexo edhe :   Një demagog i pandreqshëm, i paaftë, mëkatar dhe ende i rrezikshëm

Një herë e hëngra nga njerëzilleku e padija, por në me pafsh më tu qite kokën pas të tjerëve si kopuk, bjeri në pjatë televizorit, thyeje se të blej tjetër, dhe hiç mos u mundo të kujtosh sa qindra herë je shfaqur vete. Këtej nga ne, në PD, ka rënë gjylja. Doktori ynë ka gjetur armiq të shumtë në gjirin e partisë dhe po i bën copash siç e ka zakon. Madje, vetë kryetarin e shpalli poliagjent të Sorosit, të Ramës dhe të Cufe Danes. Nga foltorja në foltore po i shpie demokratët në fitore. Mua vetë xhajë Ramazan Daci, i dalë nga zyrat e Komitetit Qendror, jeh i bejtexhizmës popullore, më ka kërkuar t’u kthej borxhin demokratëve dhe t’ia lë mandatin një mbështetësi të Doktorit.

Eh, more Ditmir, eh,

Shpesh bie në mërzi e melankoli të thellë dhe nëse nuk do të lexoja veprat e Aldo Bumçit, nuk e di se si do t’ia dilja! Ai, në momente të vështira për kombin, ka udhëhequr drejtësinë, kulturën, madje edhe diplomacinë. Në partinë tonë ka disa mendimtarë dhe ata janë për ne si Shën Agustini, Xhirolamo, Shën Toma e Xhovani Kristomo për Kishën Katolike.

Për sot po e lë me kaq. Po edhe ti shkruaj ndonjëherë se shokët i ke në merak. Ata vërtet janë të zënë për ta bërë Shqipërinë zonjë, por të kujtojnë me mall e brengë teksa fshijnë djersët.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Masakrimi i masakrës

Nga: Luçiano Boçi  Kur ndodh një krim, gjëja kryesore që bëjnë autorët është djegia e mjeteve me të cilat kryhet krimi. Pra asgjësohet vetë krimi....

I ndaloi keçapin lojtarëve, kompania nuk ia përton Antonio Kontes

Emërimi i Antonio Kontes në krye të Totenhemit, solli ndryshime në klub. Tekniku i dha një vemendje të veçantë ushqimeve që konsumonin lojtarët, të...

FORMULA 1/ Presidenti ‘tradhton’ Shumakerin: S’është më i miri i historisë

Presidenti i FIA-s i ka befasuar të gjithë, duke mos e kurorëzuar si më të mirin ish-pilotin e tij në kohën e Ferrarit. Zhan...

Skandali me pagesat e UEFA-s, FSHF publikon “provat” e gabuara

Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë sot me një tjetër qëndrim zyrtar rreth çështjes së skandalit të shpërndarjes së fondeve të UEFA-s, në mënyrë...

Kreu zbulime që e revolucionarizuan shkencën: Kush ishte Galileo Galilei

Në cilësinë e ”babait” themelues në fushën e fizikës dhe astronomisë, Galileo Galilei është i njohur për kontribute të panumërta në shkencë. Mendimtari italian,...