Lëreni presidentin të “votohet”

Nga: Mero Baze

Këto palë zgjedhje e kanë një të mirë. Përveçse do të votohen deputet, do të votëbesohet dhe presidenti i Republikës. Në asnjë palë zgjedhje në botë jo presidenciale nuk të jepet një mundësi e tillë. Por ja që zgjedhjet shqiptare po na e japin këtë mundësi. Dhe në fakt këtë mundësi e krijoi vet Presidenti me hardallosjen e tij psikike, por dhe politike.

Ai vendosi ta shpallë veten si institucioni i vetëm legjitim në vend që mund të bëj çfarë të dojë. Të marrë pjesë në zgjedhje, ti prish ato, të çmendet, të bjerë në dashuri në Vlorë, të marrë inat kandidatin e parë, dhe të përbetohet për të dytën, pastaj të hidhet në luftë për referendum dhe të shpall 25 Prillin betejë për jetë a vdekje.

E gjithë duket një anomali kushtetuese politike dhe psikike, por në fakt është i vetmi shans të kemi një bilanc më 25 Prill, sa legjitim është Presidenti ynë.

Ky tashmë është një president që ka hyrë në zgjedhje. Ka shpallur veten kandidat, ka shpallur LSI partinë e tij, dhe po fle e zgjohet në Vlorë si një i dashuruar që ska gjumë nga ëndrra e 25 Prillit.

Dhe kjo është gjëja më e mirë e këtyre zgjedhjeve edhe pse duket anomalia më e madhe.

Më 26 Prill ne do të kemi shansin të shikojmë sa vota ka presidenti ynë që e shpall veten legjitim dhe përfaqësues të popullit shqiptar. Dhe pas asaj natyrisht që duhet të jap llogari për gjithë anomalitë që prodhoi duke shkelur ligjin si president. Biles dhe për atë që duket se ka shkelur xhindet.