Deri para 2 vitesh, Slave Ivanovski nga Maqedonia e Veriut, ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të domateve dhe specave.
Por kjo gjë ndryshoi në momentin kur në këtë vend u legalizua prodhimi i kanabisit për çështje mjekësore. Ivanovski është sot një nga prodhuesit më të mëdhenj të kësaj bime. Ai shprehet se kultivimi i kanabisit është një biznes mjaft fitimprurës, ka të ardhme dhe se nuk kërkon shumë punë.
“Statistika jonë tregon se përfitimi nga eksporti i kanabisit mund të jetë më i madh sesa nga eksporti i mishit të qengjit, verës, pjeshkave dhe prodhimeve bujqësore në Maqedoni. Është një shans i mirë për vendin. Është një biznes shumë fitimprurës, i cili nuk kërkon shumë punë dhe ka shumë të ardhme”, tha ai.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, deklaroi se legalizimi i kësaj bime pritet të sjellë shumë fitime të mëdha.
“Ne presim që industria e kanabisit të gjenerojë sa 1% e prodhimit kombëtar”, u shpreh ai.
Deri më tani, në Maqedoni janë lëshuar 28 licenca për rritjen dhe prodhimin e vajit të kanabisit. Ndërkohë mësohet se edhe 15 ndërmarrje të tjera janë duke pritur për këtë leje.
Në lidhje me këtë çështje është prononcuar edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se industria në fjalë ka hapur shumë vende të reja pune. Sipas tij, kjo industri pritet të sjellë përfitime deri në 100 milionë euro në vit në arkën e shtetit.
Studimet tregojnë se tregu evropian i kanabisit mjekësor mund të arrijë 55 miliardë euro përfitime deri në vitin 2028. Sipas të dhënave, 1 litër vaj kanabisi në ditët e sotme kushton 95 mijë euro.