Kryedemokrati Basha është zëri i radhës që i bashkohet komenteve në lidhje me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Basha nënvizoi se faktet e sjella që në 2018 provuan se akuzat e PD-së ndaj inceneratorëve kanë qenë të vërteta. Ai shtoi më tej se ka qenë PD-ja kur në muajin shkurt të vitit 2018, nisi procesin e denoncimeve për inceneratorët, për 400 milionë euro që u janë zhvatur qytetarëve shqiptarë. Madje kreu i PD-së, duke nxjerrë edhe emra u shpreh se ata që qëndrojnë pas kësaj afere me 400 milionë euro janë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj.
“Sot është dita të kujtojmë se ishte PD, që në shkurt të 2018 nisi procesin e denoncimeve për inceneratorët, për 400 milionë euro që u janë zhvatur qytetarëve shqiptarë. Sot, arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta, se denoncimet tona kanë qenë të bazuara.
Nuk ka qytetar shqiptar ta besojë se ky është peshku i madh. E dinë të gjithë se 17 vendime qeverie brenda dite nuk i nxirrte dot një ministër, kushdo qoftë. Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere me 400 milionë euro janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtiri, Arben Ahmetaj e surrogateve të tjerë.
Sado që nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerrshme korruptive, që ka varfëruar edhe më shumë xhepat e shqiptarëve. Nuk mund të themi që sot është një ditë triumfi për drejtësinë, është ndoshta fillimi i një procesi, por që nuk mund të përfundojë pa dhënë përgjigje se çfarë bëhet me kokat e kësaj afere, me kreun e qeverisë.
Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që u arrestua sot? Kjo dëshmon edhe njëherë se PD po e bën këtë betejë për interesat e shqiptarëve, por tregon edhe se fajtorët janë vetëzbuluar para opinionit publik.
Ky është momenti për t’i thënë çdo shqiptari se Komisioni Hetimor për inceneratorët duhet ngritur dhe beteja do të vazhdojë. I kërkoj drejtësisë sot pa hezitim të vërë para përgjegjësisë të gjithë, duke filluar nga Koka”, u shpreh kryedemokrati Basha.