Emisioni investigativ “Le Iene” ka mbërritur në Bulqizë, aty ku shumica e fëmijëve nuk kanë fëmijëri. Çdo ditë ata i gjen në minierën e kromit në mënyrë që në fund të ditës të arrijnë të fitojnë pak lekë për të siguruar ushqimin.
“Fëmijët që shihni nuk po luajnë! Për të kontribuar në ekonominë e familjeve të tyre, ata punojnë në minierë, ku kërkojnë krom”, kështu nis emisioni i medies italiane kushtuar fëmijëve shqiptarë.
“E dallon nga xixat”, dëgjohet të thotë një fëmijë, i cili po mbledh krom dhe po u shpjegon gazetarëve italianë se si arrin ai të njohë materialin e vyer, të cilin e shet më pas me vetëm 13 lekë kilogramin.
“Janë fëmijë të moshës 11, 12 apo maksimumi 13 vjeç, që në vend që të studiojnë, apo të luajnë si të gjithë fëmijët e tjerë, e kalojnë kohën e tyre kështu”, thuhet më tej në emision.
Bulqiza shpërndan 120.000 tonelata krom, të cilat përkthehen në 42 milion dollarë.
Në Bulqizë, të gjithë merren me krom, në këtë vend nuk shitet asgjë.
Një banore e Bulqizës, nënë e dy fëmijëve rrëfen për “Le Iene” se një punëtor në galeri merr 2.000 lekë të reja në ditë.
Më tej, emisioni italian fokusohet në varfërinë ekstreme që has sot një familje shqiptare, teksa sjell pamjet e mjerueshme se si jeton kjo grua shqiptare, fëmijët e së cilës mbledhin krom në galeri.
Është i dhimbshëm rrëfimi i vogëlushit, i cili në vend që të shkojë në shkollë, tregon segjatë gjithë ditës ka mbledhur krom dhe se ka arritur të fitojë vetëm 100 lekë të reja.
Më tej gazetarja italiane zhvendoset në një tjetër familje, e cila po ashtu jeton duke mbledhur krom, ndërsa bie në sy mikpritja e tyre.
“Do na nderoni në qoftë se rrini sonte për darkë”, thotë vajza e familjes. Gazetarja pranon, por me kushtin që të gatuajë një picë.
Pamje këto mjaft të dhimbshme, që tregojnë realitetin shqiptar në Bulqizë, i cili mbetet një plagë e rëndë e shoqërisë sonë.