Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka lëshuar paralajmërimin e radhës ndaj të gjithë atyre që janë shëruar nga COVID-19. Nuk ka asnjë provë shkencore se këta persona nuk mund të infektohen sërish. Ende s’ka një provë shkencore për të garantuar që njerëzit e kuruar nga Covid-19, kanë antitrupa që mund të mbrojnë kundër një infeksioni të dytë. Në këtë pikë të pandemisë, shkruan OBSH, nuk ka prova të mjaftueshme mbi efektivitetin e imunitetit të dhënë nga antitrupat, për të garantuar saktësinë e një “pasaporte imuniteti” ose “një certifikate të lirisë nga rreziku”.
“Disa qeveri kanë sugjeruar se gjetja e antitrupave ndaj Sars-CoV-2 mund të shërbejë si bazë për një “pasaportë imuniteti”, që mund t’i lejojë individët të udhëtojnë ose të kthehen në punë, pasi ata janë të mbrojtur nga një ri-infeksion.
Shumë nga studimet kanë treguar që njerëzit që janë rikuperuar nga infeksioni, kanë antitrupa ndaj virusit, por disa prej tyre kanë nivele jashtëzakonisht të ulëta të antitrupave neutralizues në gjak. Që nga 24 prilli 2020, asnjë studim nuk ka vlerësuar nëse prania e antitrupave Sars-CoV-2 mund të japë imunitet ndaj një infeksioni të mëvonshëm te njerëzit”, thuhet në dokumentin e OBSH.
SHBA është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, ku atje numri i viktimave ka shkuar mbi 51 mijë. Në Itali gjendja duket sikur po përmirësohet, me rënien e numrit të viktimave. Por deri më tani në total kanë vdekur mbi 25 mijë persona.