Nga data 25 maj mund të filloni prenotimet për të bërë pushime në Spanjë. Kryeministri Pedro Sanchez deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se turizmi ndërkombëtar do të hapet në muajin korrik. Spanja është një nga vendet më të prekura nga shpërthimi i koronavirusit, por numri i vdekjeve ka rënë në mënyrë të vazhdueshme.
Sanchez tha se nga korriku do të rihapet turizmi ndërkombëtar, nën masa të rrepta të sigurisë.
“Çdo vit Spanja pret më shumë se 80 milionë turistë, kështu që unë njoftoj që nga korriku do të rihapet turizmi ndërkombëtar, nën masa të rrepta të sigurisë. Turistët mund të planifikojnë pushimet e tyre në vendin tonë nga dita e sotme.
Spanja ka nevojë për turizëm dhe turizmi ka nevojë për siguri, siguri në vendin e nisjes dhe në destinacionin. Për këtë ne do të garantojmë që turistët nuk do të kenë asnjë rrezik dhe vendi ynë po ashtu”, tha kryeministri Pedro Sanchez.