Shifra të llahtarshme vijnë nga Italia, për shkak të përhapjes së virusit Covid-19. Ndonëse mosha e viktimave në Itali është e lartë, 68.3% e personave që kanë humbur jetën kanë pasur patologji të tjera, patologji kardiovaskulare, patologji të frymëmarrjes, diabetit e të tjera.
Në këto orë ankthi, një lajm i mirë vjen nga Italia, për të prekurit nga koronavirusi. Një pacient 79-vjeçar është kuruar falë ilaçit Remdesivir.
Nga 7 marsi ka nisur trajtimi për të moshuarin, dhe i kanë bërë dy teste së fundmi, të cilat kanë rezultuar negative. Matteo Bassetti, kreu i sëmundjeve infektive në Poliklinikën e San Martinos në Geno, foli për trajtimin gjatë një konference për shtyp.
“Ai do të kthehet në shtëpinë e tij në Lombardi shpejt dhe kjo na ka lumturuar shumë. Ilaçi duket se funksionon. Kemi pacientë të tjerë që po i trajtojmë”, tha Bassetti.
Italia është një nga vendet më të prekura me COVID-19. Gjithë vendi është në karantinë dhe sheshet e qyteteve turistike janë bosh.