Teksa protesta nuk ka precipituar me dhunën që ishte parashikuar më herët, e për të cilat ka patur një masë të shtuar të policisë, ka informacione se do të fiken antenat e kompanive celulare nga ora 11:00-16:00.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, njofton qytetarët se me kërkesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim marrjen të masave për zbatimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit dhe të sigurisë publike, ka udhëzuar operatorët celulare të bëjnë ndërprerje të shërbimeve të komunikimeve elektronike në disa zona të Tiranës, nga ora 11.00 deri në orën 16.00 të datës 21 shkurt 2019.
AKEP bën me dije se ka vepruar në zbatim të Ligjit 9918/2008, “Për komunikimet elektronike në RSH”, i cili autorizon bllokimin e shërbimeve per nevoja te sigurisë publike. “AKEP ju kërkon ndjesë qytetarëve lidhur me kufizimet e përkohshme të shërbimeve, dhe shpreson qe situata të tilla të mos jenë të nevojshme në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e AKEP.
Gazetarët që janë në terren thonë se në ambientet përpara Kuvendit, ka ngadalësim të shpejtësisë së internetit, ndikuar kjo dhe nga masiviteti i qytetarëve që i janë bashkuar protestës.