Zelanda e Re, pritet që të fillojë lehtësimin e masave kufizuese ndaj koronavirusit. Nga e marta, disa aktivitete jo-thelbësore të biznesit, kujdesit shëndetësor dhe arsimor do të jenë në gjendje të rifillojnë. Kryeministrja Jacinda Ardern, në konferencën e përditshme të qeverisë ka thënë se: “Ne po hapim ekonominë, por ne nuk po hapim jetën shoqërore të njerëzve”.
Bilanci i të infektuarve është në shifra më të ulta në krahasim me SHBA, Italinë e Spanjën. Kjo ka shtuar edhe më tëj shpresat për ndryshim.
Zelanda e Re ka raportuar më pak se 1.500 raste të konfirmuara ose të mundshme të koronavirusit, dhe 19 viktima. Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetit i Zelandës së Re, Ashley Bloomfield, është shprehur se rastet të cilat raportohen edhe më pak, shtojnë shpresat se është arritur qëllimi për eleminimin e COVID-19. “Numri i ulët i rasteve të reja ditëve të fundit, na jep besim se ne kemi arritur qëllimin tonë të eliminimit”.
Ai paralajmëroi se “eliminimi” nuk do të thotë se nuk do të ketë raste të reja, “por do të thotë që ne e dimë se nga po vijnë rastet tona”.
Kryeministrja Jacinda Ardern tha që nuk kishte “asnjë transmetim të gjerë të zbuluar të komunitetit në Zelandën e Re”. Më tej ka shtuar: “Ne kemi fituar atë betejë”. Por ajo tha se vendi, “duhet të mbetet vigjilent nëse duam të vazhdojmë ta mbajmë atë në atë mënyrë”.