Të kopjosh në provime, sigurisht që nuk lejohet në asnjë shkollë. Por një shkollë në Indi ka marrë masa ekstreme, deri në vendosjen e një kutie kartoni në kokë, për të mos e pasur aspak të lehtë që të shikosh nga fleta e studentit pranë.
Rregulli ka gjetur zbatim në Bhagat Pre-University College në Haveri, Indi.
Imazhet e nxënësve me kutitë në kokë u bënë virale në mediat sociale. Fotografitë tregojnë studentët të ulur në bankat e shkollës, duke bërë provimet me kutitë në kokë, ku në pjesën e syve janë hapur dy vrima për ti lejuar të shikojnë.
Administratori i kolegjit MB Satish tha për BBC se solli eksperimentin në shkollë, pasi dëgjoi se ishte përdorur edhe në shkolla të tjera. Ndërsa shtoi se nxënësit nuk ishin të detyruar ti mbanin kutitë.
Fotografitë thuhet se ishin postuar në Facebook nga një anëtar i stafit, dhe shumë shpejt ato u bënë virale. Pas këtyre pamjeve, shumë qytetarë mbetën të zhgënjyer nga kjo praktikë.
Zyrtarët kanë lëshuar një falje publike. Administratori i Kolegjit MB Satish ka pranuar se shkolla kishte zbatuar një praktikë eksperimentale, pasi kishte parë që po bëhej diku tjetër.
“Nuk kishte asnjë detyrim të asnjë lloji. Ju mund të shihni në fotografi se disa studentë nuk e kishin vendosur atë”, tha ai për BBC.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe ministri i Arsimit, S. Suresh Kumar, i cili tha se kjo praktikë ishte ‘e papranueshme’.
“Askush nuk ka të drejtë të trajtojë askënd, studentët si kafshët,” shkroi Kumar. ‘Kjo (çoroditje) do të trajtohet”.
Zëvendësdrejtori i Bordit Lokal të Arsimit Parauniversitar, SC Peerjade e përshkroi praktikën si ‘çnjerëzore’.