Editorial - Opinione

Kushtetuesja në shtator, a mund ta bllokojë Meta?


               Publikuar në : 20:02 - 06/08/19 Enno

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përfunduar procedurën për lejimin e kandidatëve që do të plotësojnë vakancat në Gjykatën Kushtetuese, të cilat kanë sjellë bllokimin e saj, duke lejuar të vazhdojnë garën vetëm 6 kandidatë për 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Por, kandidatët e paktë që kanë arritur të plotësojnë kushtet dhe kriteret dhe të kalojnë në sitën e KED kanë sjellë shumë pikëpyetje nëse do të arrihet të ngrihet Gjykata Kushtetuese në shtator, ashtu siç ka paralajmëruar mazhoranca dhe nëse për këtë mund të bëhet pengesë Presidenti Meta.

Por le t’i marrim faktet me radhë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka lejuar për të vijuar garën gjatë këtyre ditëve për 16 kandidatura, të cilët kanë shprehur interesin në katër vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, dy të shpallura nga Presidenti dhe dy të shpallura nga Kuvendi, sipas radhës, ashtu siç përcaktohet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Konkretisht, vendet vakante në Kushtetuese janë shpallur me 7 shkurt 2018 nga Presidenti, 12 shkurt 2018 nga Kuvendi dhe 4 mars 2018, një nga Presidenti dhe një nga Kuvendi. Por, 16 kandidaturat e lejuara për të vijuar garën, në të vërtetë janë vetëm 6 kandidatë, pasi disa prej tyre kanë konkurruar në të gjitha shpalljet për vende vakante.

7 shkurt 2018, vend vakant i shpallur nga Presidenti

Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Regleta Panajoti, Elsa Toska

12 shkurt 2018, vend vakant i shpallur nga Kuvendi

Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska

4 mars 2018, vend vakant i shpallur nga Presidenti

Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari

4 mars 2018, vend vakant i shpallur nga Kuvendi

Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska

Pra, për të zgjedhur 4 anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti dhe Kuvendi duhet të vendosin mes emrave Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferrllari, e cila ishte e fundit e konfirmuar nga KED. Katër prej tyre do t’i bashkohen anëtares së vetme që ka mbetur në Gjykatën Kushtetuese, Vitore Tusha.

Megjithatë, mënyra e përcaktuar në ligjin e ri për Gjykatën Kushtetuese për përzgjedhjen e tyre krijon dyshime nëse do të plotësohen të katër vendet vakante, duke qenë se janë vetëm 6 kandidatë dhe katër prej tyre, Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska, janë si në listën e Presidentit, ashtu edhe në listën e Kuvendit. Por çfarë ndodh?!

Për 6 kandidatët, Presidenti ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendi dy anëtarë të tjerë, për të plotësuar 4 vakancat e para, për të cilat është shprehur deri tani KED.

Nëse një nga katër kandidatët që janë në të dyja listat përzgjidhet nga të dy institucionet, Presidenti dhe Kuvendi, atëherë në Gjykatën Kushtetuese shkojnë vetëm 3 anëtarë dhe jo katër, duke mos e bërë funksionale atë, pasi duhen të paktën 5 anëtarë (ku një prej tyre është aktualisht Vitore Tusha) për të shqyrtuar çështje në themel. Pra, në kushtet e kandidatëve të paktë dhe të përbashkët mes Kuvendit dhe Presidentit do të duhej një koordinim mes këtyre dy institucioneve për të mos përzgjedhur të njëjtin nga Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska. Nisur nga marrëdhëniet mes këtyre dy institucioneve, që kanë qenë të ashpra, pasi kreu i shtetit e ka sulmuar disa herë Parlamentin, ndërsa mazhoranca që ka shumicën ka ndërmarrë iniciativën për shkarkimin e tij, kjo sjell skenarin e mundshëm që Meta të bllokojë Gjykatën Kushtetuese për funksionimin e saj brenda shtatorit, ashtu siç ka paralajmëruar mazhoranca.

Megjithatë, edhe nëse nuk arrihet një koordinim mes Presidentit dhe Kuvendit ka dritë jeshile. Së pari nëse KED çon më parë listën e kandidatëve të Presidentit, kreu i shtetit është i detyruar që brenda 30 ditësh të zgjedhë anëtarin për Kushtetuese, ose nëse nuk shprehet automatikisht emërohet kandidati që ka më shumë pikë dhe është renditur i pari në listë. Më pas, lista mund t’i çohet Kuvendit për të zgjedhur kandidatët e vet, po ashtu brenda 30 ditësh.

Së dyti, sipas kohës së shpalljes së vakancave dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kandidati i parë (nga lista e 7 shkurtit 2018) do të zgjidhet nga Presidenti brenda 30 ditëve nga momenti i shpalljes së listës nga KED, ndërsa këtu i jepet mundësia Kuvendit që mos të zgjedhë të njëjtin emër (në listën e 12 shkurtit 2018), duke qenë se të gjithë kandidatët kalojnë për votim në seancë plenare. Ndërsa për dy kandidatët e tjerë (për vakancat e 4 marsit 2018), Kuvendi sërish mund të luajë me limitet e kohës, por numri i limituar i kandidatëve që janë lejuar nga KED, i detyron institucionet mos të bëjnë zgjedhje, por zgjidhje për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese./Realstory

 

 

 

 

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT