Aktualitet

Kushërira humbi jetën si pasojë e tërmetit, gazetarja nxjerr fakte tronditëse


               Publikuar në : 20:54 - 02/12/19 M S

Gazetarja Ornela Gaçe ka humbur vajzën e xhaxhait, Xhuljeta Gjonaj, 53 vjeçe, si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Xhuljeta humbi jetën pasi pallati 6- katësh në Durrës ku ajo jetonte, u shemb. Ajo ka rrëfyer se kjo fatkeqësi nuk është vetëm natyrore, e ndërsa personat që kanë ndërhyrë në katin e parë të pallatit, duhet të dalin para ligjit. Në programin “Rudina” në Tv Klan, gazetarja tha se në atë pallat që ndodhi tragjedia, janë prerë muret mbajtës dhe kolonat mbajtëse, për të bërë një kafe panoramike.

“Momente shumë kritike do të thoja, situatë shumë e rëndë. Të gjithë jemi mësuar me vdekjen, por sidomos kur vdekja nuk të lë vend për të ngushëlluar dhe për të përjetuar hallin e të afërmve të t’u, qenka një situatë edhe më tragjike seç mendohej. Vajza e xhaxhait tim ndodhej në katin e dytë të pallatit 6- katësh, i cili për fakt të kësaj fatkeqësie natyrore, por jo vetëm do të thoja unë.

Unë kam një apel shumë të fortë tek ata që kanë futur dorën tek kati i parë i asaj banese, që duhet të jenë personat e parë përgjegjës që duhet të jenë para ligjit. Kam një apel shumë të fortë për këtë. Sepse ndoshta nuk do ishte një shifër kaq e madhe humbje jetësh brenda këtij pallati. Aty janë prerë, siç e dimë të gjithë, muret mbajtës dhe kolonat mbajtëse për të bërë një kafe panoramike, sa më të bukur, për ta pirë kafen afër pallatit, tek shkalla.

Kjo ka qenë le të themi, është si të mbash godinën në ajër, ai ka qenë kati i parë menjëherë pas lokalit, kati i sipërm. Vajza e xhaxhait tim ka tentuar të dalë tek pjesa e derës, por si duket paniku e ka mbërthyer dhe ka tentuar të dalë tek pjesa e shkallëve, dhe pastaj aty i ka rënë traversa e 3 kateve që janë varur poshtë. Deri në momentin e fundit, të paktën siç dëgjoja nga kolegët e mi gazetarë, se aty ishte e pamundur, jepte shenja jete. Por doli nga rrënojat e pajetë, pas kërkimeve që zgjatën në orë të tëra, pas një ankthi të frikshëm të familjarëve që prisnin përjashta”.

Xhuljeta ishte me bashkëshortin në shtëpi kur ndodhi tërmeti, por ai fatmirësisht arriti të shpëtonte. Ajo ka zbuluar më tej se bashkëshorti i së ndjerës ka qenë në tualet, kur u ndjenë lëkundjet e tërmetit.

“Bashkëshorti ka qenë në tualet në atë moment, dhe nuk ka dalë nga tualeti. Ndoshta ajo pjesë e pallatit ka qenë më pak e riskuar, se ka qenë pjesa fundore, pjesa e godinës që është shembur e para ka qenë pikërisht aty ku është bërë ndërhyrja. Prandaj e kam këtë apel të fortë. Kush i ka futur duart në atë pallat, duhet të dalë para ligjit. Kjo është kërkesa e familjarëve, kjo është kërkesa e gjithë jetëve të humbura”.

Xhaxhai i gazetares nuk e beson dot që vajza e tij ka humbur jetën. “Xhaxhai im në këto momente që flasim, nuk e pranon dot që vajza e tij ka ndërruar jetë. I thërret kushurirës sonë me emrin e saj. Një tragjedi që akoma është e paprekshme, e paperceptueshme”.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT