E hënë, 20 Shtator, 2021
28.5 C
Tirana

Kush janë të eturit për gjak në Izrael

Nga: Gideon Levy “Haaretz”

Çdo “raund” sjell me vete etjet e veta për gjak. Gjatë çdo raundi të ri të dhunës, ata dalin nga vrimat e tyre si minj, heqin maskat e tyre të “korrektesës politike” dhe ekspozojnë fytyrat e tyre të vërteta ndaj të gjithëve: Gjithçka që ata duan është të shohin gjak. Sa më shumë që të jetë e mundur gjak arabësh, aq më mirë është.

Për ta gjëja kryesore është që të derdhet gjaku arab. Shtëpitë e banuara po shemben si të ishin shtëpi prej letre në Gaza, ndërsa jetët e shkatërruara nën to janë për ta një shaka e butë. Ata duan të shohin gjak, jo vetëm rrënoja, frikë dhe shkatërrim.

Dhjetëra të vdekur gjatë 24 orëve të para, rreth gjysma e tyre gra dhe fëmijë, nuk janë asgjë për ta. Ata duan shumë më tepër gjak. Derisa lumenjtë e gjakut ta përmbysin Gazën, dhe bashkë me të Lodin nëse është e mundur, oreksi i tyre do të jetë i ngopur vetëm pjesërisht. Derisa palestinezët të gjunjëzohen, të përkulen para Izraelit, dhe t’i dorëzohen atij pa kushte, në përjetësi, ata nuk do të jenë të kënaqur. Ata duan një foto të fitores përfundimtare, të fitores së gënjeshtërt që e dëshirojnë aq shumë, por që nuk do të arrihet kurrë.

Ata që kanë etje për gjak, ndahen në dy grupe:ekspertët e sigurisë dhe racistët. Ata zaptojnë studiot në televizione dhe radio dhe rrjetet sociale me forca të mëdha, gjeneralë, analistë, ekspertë – gjatë kohës së luftës nuk ka zëdhënës të tjerë – dhe gjithçka që synohet është nxitja e përshkallëzimit të luftës, pavarësisht se cili është qëllimi.

Kryesore është që ne të “pimë” gjakun e tyre. Ekspertët e sigurisë, duan sa më shumë luftë që të jetë e mundur, pasi thellë në zemër atyre u pëlqejnë luftërat, ato janë kujtimet e tyre më të forta. Një luftë që për ta nuk është asnjëherë e mjaftueshme, por që e duan thjesht për t’i goditur armiqtë, për t’i provuar atyre se ne jemi të fortë.

Të gjitha luftërat në Gaza dhe Liban, të cilat nuk arritën asgjë, nuk u mësuan asgjë atyre. Ata nuk heqin nga dora armët e tyre. Sikur t’i kishim dëgjuar ata në atë kohë, do të kishte dhjetëra mijëra të vdekur, dhe vetëm atëherë do të ishte arritur fitorja e dëshiruar, e cila nuk do të arrihet kurrë.

Njëlloj zi Fata Morgana në shkretëtirë, ata i afrohen fitores, por ajo distancohet nga ata.

Ajo nuk do të arrihet asnjëherë me forcë. Meqë ne nuk i dëgjuam ata, ata po përpiqen përsëri në të tyren. Vazhdojnë të bëjnë thirrje për të goditur dhe copëtuar, si të ishin gjeneralë, apo të ëndërronin sikur të ishin gjeneralë në betejë.

Gazetari të njohur si Deni Kushmaro, që zakonisht nuk tregon mendimin e tij vetjak për asgjë, pyeti me naivitet:“Pse Jahja Sinuar (udhëheqësi i Hamasit në Rripin e Gazës), ka ende një shtëpi?”. Sikur njerëzit të dëgjonin këtë gazetar, Sinuar nuk do të kishte më shtëpi, grua, fëmijë, fqinjë, ashtu si të gjithë paraardhësit e tij të vdekur, dhe atëherë ne do të fitonim.

Sigurisht që do të fitonim. Nga gazetarët Nahum Barnea (që nxit “Godisni akoma më fort”) tek Roni Daniel, çdo njëri nga këta gazetarë mund të jetë një ushtar.

Të gjithë ata duan vetëm më shumë veprime luftarake nga burra që nuk qajnë kurrë, madje as natën. Ata ulen në majat e kodrave përreth Gazës dhe si një kor tifozësh brohorasin forcat izraelit që do të vrasin civilë dhe luftëtarë në geto.

Grupi i dytë janë racistët.“Dy arabë u vranë në Lod nga një raketë e lëshuar nga Hamas.

Unë e quaj këtë një drejtësi poetike. … Sa keq që ishin vetëm dy!”-shkroi gazetari Shimon Riklin të mërkurën në lidhje me vrasjen e dy izraelitëve,i cili është edhe babai i një vajze.

“Pse nuk e reduktojnë me 10 për qind energjinë elektrike në Gaza? Lërini të jetojnë në errësirë ​​dhe të vuajnë. Lërini le të vuajnë”.Riklin ka një objektiv, i cili është njëkohësisht një krim i përçmuar lufte dhe gjithashtu i pakuptimtë.

Nga ana tjetër, Ben Kaspit, është me sa duket një gazetar centrist, dhe ai i bërtiti imamit të Lodit:“Ne duhet që t’ju godasim vërtet fort, dhe t’ju tregojmë se kush është bosi këtu, t’ju tregojmë se nuk do të digjni asgjë që u përket hebrenjve në Izrael”. Fytyra e tij e shëmtuar është tanimë e ekspozuar. Tani dihet kush është shefi këtu, dhe ju nuk mund të digjni atë që u përket hebrenjve. Dhe as t’i zgjoni në mes të natës me sirena.

Burimi i lajmit: https://www.haaretz.com/opinion/.premium-those-who-thirst-for-blood-1.9801427

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Kosova ndalon hyrjen e mjeteve me targa serbe, Drecun: Aksioni i planifikuar

Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar se aksioni i Njësisë Speciale të Kosovës rreth vendosjes së reciprocitetit...

Ndodh edhe kështu/Nuk siguroi dot biletën, tifozi fshihet në tualetin e femrave

Për të parë skuadrën e zemrës, ia vlen çfarë do lloj sakrifice. Një tifoz skocez i skuadrës së Sëlltikut është përballur me një të...

E mendonin të vdekur në Pukë, si i dështoi plani për inskenimin e vrasjes

Vijojnë hetimet ndaj biznesmenit italian Davide Pecorelli, të cilit i dështoi plani për inskenimin e vrasjes. Shqipëria nis hetimet për "shkatërrim prone" e "dëmtim...

Thellohet tragjedia, shuhet familja Gjoka nga shpërthimi i bombolës së gazit

Pas dy motrave dhe mamasë, ka humbur jetën edhe djali 12-vjeçar i familjes Gjoka. Enriko Gjoka 12 vjeç, fatkeqësisht nuk ia ka dalë t'i...

Vendimi/Çfarë është reciprociteti për targat e Serbisë? Blindohet kufiri

Duke parë situatën e agravuar tashmë mes Kosovës dhe Serbisë, Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga ana e qytetarëve që të shfrytëzojnë...