E martë, 19 Janar, 2021
-4 C
Tirana

Kush janë armët më vdekjeprurëse kimike në botë

Në rast se ka një konstante gjatë gjithë historisë, është se njerëzit duan të gjejnë mënyra të reja dhe të tmerrshme për të vrarë armiqtë e tyre, apo për të nënshtruar qytetarët e tyre.

Armët kimike janë veçanërisht të tmerrshme, pasi ato mund të jenë pa ngjyrë, pa erë dhe mund të hidhen lehtësisht pa u vënë re në një tubacion uji apo ushqime, duke sjellë pasoja katastrofike. Ja cilat janë armët më vdekjeprurëse kimike sot në botë.

Cianidi i hidrogjenit

Është përdorur për herë të parë si një armë kimike nga Franca në Luftën e Parë Botërore. Që të jetë efektiv, duhet të përdoret në sasi të mëdha. Si një lëng me ngjyrë blu të zbehtë ose pa ngjyrë, ky gaz shkakton dobësi fizike, konfuzion, gulçim në frymëmarrje, të përziera dhe arrest kardiak.

Gazi VX

Një nga agjentët nervorë më vdekjeprurës, nuk ka as erë dhe as shije. U krijua në vitin 1952, nga shkencëtarët britanikë. Nga 1961 SHBA filloi prodhimin në shkallë të gjerë të gazit VX, bashkë me Bashkimin Sovjetik, Francën dhe Sirinë.

Ai shkakton presion anormal, të ulët ose të lartë të gjakut, turbullim të shikimit, ngushtim në gjoks, kollë, diarre, konfuzion, dhimbje në sy, rritje të urinimit, dhimbje koke, djersitje të tepruar, paralizë, dhe bllokim të frymëmarrjes që mund të çojë deri në vdekje.

Klori

Klori përdoret në sasi të vogla në shumë vende në botën e zhvilluar, sidomos për të vrarë bakteret në sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm. Por është përdorur gjithashtu si një armë kimike vdekjeprurëse, në formën e një gazi të verdhë në jeshil, që bllokon mushkëritë. Kimisti gjerman Fric Haber e përdori si armë në 1915. Retë e gazit të klorit ranë mbi Aleatët, duke vrarë 5000 nga 15.000 ushtarët që ndodheshin atë ditë në fushën e betejës.

Agjenti Portokalli

I përdorur kryesisht në xhunglat e Vietnamit në vitet 1962-1971, Agjenti Portokalli është një përzierje e herbicideve të ndryshme. Ushtria amerikane shpresonte të shkatërronte të korrat e vietnamezëve të veriut. Por sot pasojat e tij lidhen me zhvillimin e kancereve, defekteve në lindje, dhe normave shumë të larta të aborteve. Në vitin 1979, SHBA kompensoi në shumën 180 milion dollarë, 250.000 të prekurit direkt nga ekspozimi ndaj kësaj arme kimike.

Sarin

Është kaq vdekjeprurës, sa që edhe Hitleri kishte shumë frikë ta përdorte. Ai u zhvillua në fillim si pesticid nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, për të luftuar parazitët që dëmtonin pemët frutore. Ai është një lëng i pastër, pa ngjyrë, pa erë dhe pa shije. Simptomat e para të ekspozimit ndaj tij janë lotimi i syve, shikimi i mjegullt, djersitja e tepërt, kolla, shtrëngimi në gjoks, diarre, të përziera, të vjella, rrahje të ngadalta ose të shpejta të zemrës dhe presion i ulët ose i lartë i gjakut. Ekspozimi në nivele të larta zakonisht është fatal.

Fosgeni

Në botën industriale, fosgeni është një përbërës kryesor i plastikës dhe pesticideve, por gjatë Luftës së Parë Botërore, ai u përdor për të vrarë më shumë se 85.000 njerëz. Ai është krijuar duke kombinuar monoksidin e karbonit dhe klorin. Në sasi shumë të vogla aroma e tij të kujton atë të barit të freskët. Por ekspozimi në sasi të mëdha ndaj fosgenit shkakton kollitje, shikim të mjegullt, ndjesi djegieje në fyt dhe sy të skuqur, të përziera, të vjella dhe plagë shumë të ngjashme me ngrirjen ose djegien, apo edhe atak kardiak.

Noviçok

I zhvilluar në Rusinë sovjetike në vitet 1970-1980, ai shkakton simptoma shumë të ngjashme me llojet e tjera të agjentëve nervorë si Sarin dhe VX. Por ndryshe nga të parët është shumë më i vështirë për t’u gjurmuar. Kohët e fundit, kryeopozitari rus Aleksei Navalni, mendohet se ishte ekspozuar ndaj këtij gazi nervor, duke rënë në koma për disa javë.

Gazi Mustardë

Ndryshe nga agjentët nervorë, ky gaz nuk shkakton zakonisht simptoma 12 deri në 24 orë pas ekspozimit. Por ekspozimi ndaj substancës mund të shkaktojë shpërfytyrim të përhershëm tek viktimat, dhe verbëri të përhershme. Për shkak të kancerogjenëve të pranishëm në të, viktima është i rrezikuar të preket nga tumoret të ndryshme dhe pas shërimit.

Soman

Është një substancë shumë toksike, që ndërhyn në sistemin nervor, duke penguar prodhimin e enzimave dhe neurotransmetuesve. Në doza të mëdha bllokon tërësisht mushkëritë. Ashtu si agjentët e tjerë nervorë, është pa ngjyrë dhe pa erë. U përdor masivisht në Luftën Iran-Irak në vitet 1980.

Tabun

U krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga kimisti gjerman Gerhard Shrader. Mund të jetë në 2 forma, si një lëng pa ngjyrë, pa shije apo si një lëng ngjyrë kafe me një aromë të zbehtë, gati si ndonjë lëng frutash. Simptomat nga ekspozimi përfshijnë probleme në shikim, ngushtim në gjoks, të vjella dhe konvulsione. Një dozë e madhe ka shumë të ngjarë të shkaktojë vdekjen.

Burimi i lajmit: https://www.toptenz.net/the-worlds-most-deadly-chemical-weapons.php

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Mesi e gjuajti me shpullë, sulmuesi i Bilbaos: Ai u nxeh sepse e bllokova

Sulmuesi i Atletik Bilbaos, Asier Vijalibre do të mbahet më shumë mend për faktin se detyroi Lionel Mesin të ndëshkohej me karton të kuq...

Qeverisje me PS? Duma: Zero shanse, ofendim për sakrificat e demokratëve

Ish-deputetja Grida Duma hodhi poshtë mundësinë e një koalicioni të madh mes PS- së dhe PD-së. E pyetur për thashethemet që qarkullojnë së fundmi për...

Mediu: Të biem dakort me PD-në sa më shpejt të jetë e mundur që të mundim Ramën

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu është shprehur se bisedimet me Partinë Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje vijojnë. Në ''Open”, Mediu tha se PR-së...

“Pyetjet i merr nga Basha“/ Gazetarja-Topallit: Merre telefonin shikoje

Gazetarja e ABC, Esiona Konomi dhe kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, janë përplasur në emisionin ''Log'' në lidhje me bashkëpunimin e tyre...

Akuza për spiunazh, Rusia dëbon dy diplomatë holandezë

Rusia ka dëbuar dy diplomatë holandezë në një veprim reciprok pasi Holanda dëboi dy diplomatë rusë në fund të vitit të kaluar. Ministria e Punëve...