Kuriozitete

Kush është kreu i organizatës që mundësoi lirimin e Alvinit nga kampi Al Hol


               Publikuar në : 14:12 - 14/11/19 M D

Rikthimi i 11-vjeçarit shqiptar, Alvin Berisha, në gjirin e familjes së tij që banon në Itali, nga kampi famëkeq i Al Hol, ishte një lajm që gëzoi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Por pavarësisht përpjekjeve disavjeçare të të atit, kjo gjë nuk do të ishte e mundur nëse nuk do të ishin angazhuar një sërë aktorësh.

Duke nisur që nga institucionet e shtetit shqiptar dhe atij italian dhe deri tek organizatat humanitare, që ndërmjetësuan nxjerrjen e Alvinit nga ai kamp i tmerrshëm.

Një ndër ta ishte Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane (SARC), e drejtuar nga Khaled Hboubati.

SARC, është një organizatë humanitare që respekton gjithmonë Konventat e Gjenevës, dhe që merret me njerëzit dhe nevojat e tyre.

Ajo angazhohet përherë në kohë krizash, luftërash dhe katastrofash, kur nevojat e njerëzve janë të shumëfishta.

Selia e saj është në kryeqytetin sirian, Damask.

Organizata u themelua në vitin 1942, para pavarësisë së shtetit sirian nga Franca një vit më vonë. Dhe u pranua në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në vitin 1946. Organizata është pjesë e Federatës Ndërkombëtare dhe është njohur nga ICRC. SARC ka 14 degë dhe 75 degë në të gjithë Sirinë.

Ajo ka rreth 11.000 vullnetarë të trajnuar, që angazhohen në dhënien e ndihmës së parë mjekësore për të plagosurit, dhe në ndihmën pas fatkeqësive të ndryshme, apo edhe në mbështetje psiko-sociale të viktimave.

SARC është një ndër organizatat më aktive në Luftën Civile Siriane, e angazhuar intensivisht në evakuimin e njerëzve nga rajoni i shkatërruar në vendet e tjera.

Drejtuesi i SARC, Khaled Hboubati, është diplomuar në inxhinieri.

Ai ka qenë më herët President i Klubit të Orientit në vitet 1988-2008 dhe president i ekipit të futbollit Al Wahdeh (2002-2004). Gjithashtu, Hboubati ka shërbyer si anëtar i bordit drejtues të Dhomës së Tregtisë në Damask në vitet 2004-2008.

Ai është sponsor i shumë organizatave bamirëse lokale për personat me aftësi të kufizuara fizike, fondacioni “Drop of the Milk”, dhe fondacionit “Abdul Ader Hasani”.

Ai është presidenti i Degës SARC në Damask dhe Kryetar i Gjysmëhënës së Kuqe Siriane Siriane që nga viti 2016.

Në maj të këtij viti, Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane, ngriti me mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Kryqit të Kuq Norvegjez, një spital fushor për të gjithë personat e zhvendosur në kampin Al Hol, ku ndodhen më shumë se 70 mijë njerëz.

Në fazën fillestare, spitali pati 30 shtretër, ndërsa më vonë zgjeroi kapacitetet.

Sigurisht puna e kësaj organizate nuk ka qenë aspak e thjeshtë.

Angazhimi në të dyja frontet e luftës, nuk ka pasur gjithmonë mirëkuptimin e palëve ndërluftuese.

Nuk kanë qenë të pakta rastet ku vullnetarët e SARC, nuk janë lejuar nga qeveria e Damaskut, që të ndihmojnë civilët në zonat rebele.

Dhe në këto raste, situata është zhbllokuar vetëm me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe OKB-së. /TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT