E premte, 28 Janar, 2022
5.5 C
Tirana

Kush e shkroi Biblën?

Përgjatë shekujve, miliarda njerëz e kanë lexuar Biblën. Studiuesit e kanë kaluar gjithë jetën e tyre duke e studiuar atë, ndërsa rabinët, pastorët dhe priftërinjtë janë përqendruar në interpretimin, mësimin dhe predikimin nga faqet e tij.

Si tekst i shenjtë i dy prej feve kryesore të botës, Judaizmit dhe Krishterimit, por edhe besimeve të tjera, Bibla gjithashtu ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në letërsi, sidomos në botën perëndimore. Ajo është përkthyer në gati 700 gjuhë, dhe ndërsa shifra e saktë e kopjeve të shitura është e vështirë të gjendet, ajo konsiderohet gjerësisht si libri më i shitur në botë.

Por, me gjithë ndikimin e pamohueshëm të Biblës, ka ende mistere mbi origjinën e saj. Edhe pas afro 2.000 vjet të ekzistencës së saj, dhe investigimeve ndër shekuj nga studiuesit biblikë, ne ende nuk e dimë me siguri se kush i shkroi tekstet e saj të ndryshme, kur janë shkruar ato dhe në cilat rrethana.

Dhiata e Vjetër: Teoria e autorit të vetëm

Dhiata e Vjetër, ose Bibla Hebraike, rrëfen historinë e popullit të Izraelit për rreth 1 mijëvjet, duke filluar me krijimin nga Zoti të botës dhe njerëzimit. Ajo përmban histori, ligje dhe mësime morale, që formojnë bazën e jetës fetare si për hebrenjtë ashtu dhe të krishterët.

Për të paktën 1.000 vjet, si tradita hebraike ashtu edhe ajo e krishterë,pretendonte se një autor i vetëm shkroi 5 librat e parë të Biblës – Zanafillën, Eksodin, Levitikun, Numrat dhe Ligjin e Përtërirë -që njihen bashkë si Tora (që në hebraisht do të thotë “Udhëzim”), ose Pentateuku (nga greqishtja e vjetër“Pesë rrotullat”).

Dhe ai autor besohej të ishte Moisiu, profeti hebre që i nxori izraelitët nga robëria në Egjipt, duke i drejtuar në një rrugëtim të gjatë përtej Detit të Kuq drejt Tokës së Premtuar. Por gati nga fillimi, lexuesit e Biblës vunë re se në të ashtuquajturit Pesë Librat e Moisiut kishte gjëra që vetë Moisiu nuk mund t’i kishte parë dot.

Për shembull, vdekja e tij ndodh afër fundit të Ligjit të Përtërirë. Një vëllim i Talmudit, koleksioni i ligjeve hebraike të regjistruara midis shekujve III dhe V pas Krishtit, e sqaron këtë mospërputhje, me shpjegimin se ishte Joshua (pasardhësi i Moisiut si udhëheqës i izraelitëve), që me gjasë shkroi vargjet rreth vdekjes së Moisiut.

“Kështu mendojnë shumë studiues”-thotë Joel Baden, profesor në Shkollën e Hyjnisë në Jeil. Kur nisi Iluminizmi në shekullin XVII, shumica e studiuesve fetarë po e vinin seriozisht në dyshim idenë e autorësisë së Moisiut, por edhe idenë se Bibla mund të ketë qenë vepër e ndonjë autori të vetëm.

Pesë librat e parë ishin të mbushura me materiale kontradiktore, shpesh plot përsëritje, dhe që dukej se tregonin versione të ndryshme të historisë së izraelitëve, edhe brenda një pjese të vetme të tekstit. Siç thotë Baden, “shembulli klasik” i këtij konfuzioni është historia e Noes dhe Përmbytjes (Zanafilla 6:9).

“Asnjë nuk di të thotë sot sa kafshë mori Noe në arkë. Diku thuhet nga një çift për çdo lloj kafshe, diku tjetër nga 14 për çdo lloj. Po kështu, thuhet se përmbytja zgjati 40 ditë, ndërsa dikur tjetër se zgjati 150 ditë” – thekson Baden.

Dhiata e Vjetër:Autorë të shkollave të ndryshme

Për të shpjeguar kontradiktat dhe përsëritjet në Bibël, shumica e studiuesve të sotëm bien dakord se historitë dhe ligjet që ajo përmbante, komunikoheshin gojarisht, përmes prozës dhe poezisë. Duke filluar nga shekulli VII-të Para Krishtit, grupe apo shkolla të ndryshme, i shkruan ato në kohë të ndryshme. Nga 3 blloqet kryesore të materialit burimor, për të cilin studiuesit pajtohen se përmban 5 librat e parë të Biblës, i pari besohej se ishte shkruar nga një grup priftërinjsh, apo autorë meshtarë, që studiuesit i përcaktojnë si “P”.

Një bllok i dytë i materialit burimor njihet si “D” për ‘deuteronomist’, që do të thotë autori i shumicës dërrmuese të librit të Ligjit të Përtërirë. “Të dy nuk janë në fakt të lidhur me njëri-tjetrin në ndonjë mënyrë domethënëse. Ata thjesht kanë regjistruar disa ligje dhe po rrëfejnë një version të historisë së hershme të Izraelit”.

Sipas disa studiuesve, përfshirë Baden, blloku i tretë kryesor i materialit burimor në Torah mund të ndahet në dy shkolla të ndryshme, po aq koherente, të emërtuara për fjalën që secili përdor për emrin e Zotit:Yahweh dhe Elohim. Studiues të tjerë nuk bien dakord mbi 2 burime te plota të materialit jo-priftëror.

Dhiata e Re: Kush i shkroi ungjijtë?

Ashtu si Dhiata e Vjetër, që e kronikon historinë e izraelitëve gjatë 1 mijëvjeçari ose më shumë deri në lindjen e Jezu Krishtit, Dhjata e Re regjistron jetën e Jezusit, nga lindja dhe mësimet e tij deri në vdekjen dhe ringjalljen e mëvonshme, një tregim që formon bazën e Krishterimit.

Duke filluar nga viti 70 Pas Krishtit, rreth 4 dekada pas kryqëzimit të Jezusit (sipas Biblës), u shfaqën katër kronika të shkruara në mënyrë anonime të jetës së tij, të cilat do të bëheshin dokumente qendrore të besimit të krishterë. Të emërtuara sipas dishepujve më të përkushtuar të Jezusit – Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni -4 Ungjijtë kanonikë, në fillim mendohej se ishin tregime të dëshmitarëve okularë mbi jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit.

Por për më shumë se një shekull, studiuesit në përgjithësi ranë dakord që Ungjijtë, si shumë prej librave të Dhiatës së Re, nuk ishin shkruar në fakt nga njerëzit të cilëve u atribuohen. Në fakt, është e qartë se historitë që formojnë bazën e Krishterimit u komunikuan së pari gojarisht dhe kaluan nga brezi në brez, përpara se të mblidheshin dhe të shkruheshin.

Tradicionalisht, 13 nga 27 librat e Dhiatës së Re iu atribuan Apostullit Pal, i cili u konvertua në i krishterë pas njohjes me Jezusin rrugës për në Damask. Ai shkroi një seri letrash që ndihmuan në përhapjen e besimit në të gjithë botën Mesdhetare.

Por studiuesit, bien tanimë dakord mbi vërtetësinë e vetëm 7 letrave të Palit:Romakëve 1, dhe 2 Korintasve, Galatasve, Filipianëve, Selanikasve, Filimonit. Këto besohet se janë shkruar midis viteve 50-60 Pas Krishtit, duke i bërë ato provat më të hershme të njohura për Krishterimin.

Autorët e letrave të mëvonshme mund të kenë qenë ndjekës të Palit, i cili përdori emrin e tij për t’u dhënë vërtetësi veprave. Nga shekulli IV Pas Krishtit, Krishterimi ishte vendosur si feja dominuese në botën Perëndimore, ashtu si Dhjata e Re dhe ajo e Vjetër, si tekstet e tij më të shenjta.

Në shekujt që do të pasonin, Bibla do të bëhej më thelbësore në jetën dhe besimet e miliona njerëzve në të gjithë botën, pavarësisht nga misteri për origjinën e saj dhe debati i vazhdueshëm dhe kompleks mbi autorësinë e saj.

Burimi i lajmit: https://www.history.com/news/who-wrote-the-bible

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Fakte të panjohura mbi shkencëtarët më të famshëm të të gjitha kohërave

Ju ndoshta mund t’i njihni emrat e këtyre figurave historike të shkencës, si dhe zbulimet e tyre më të famshme. Por ndoshta mund të...

Pas acarit, rikthehen reshjet e shiut. Si do të jetë moti për këtë fundjavë

Reshjet e shiut pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit të ditës së shtunë, në pjesën më të madhe të...

Shp*rthimi në banesën e Dukës, 34-vjeçari i arrestuar me shenja dj*gie në dorë

34-vjeçari i arrestuar për vendosjen e tritolit në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, rezulton me shenja djegie në dorë....

Pa të dashurën me shokun e tij, detaje nga sherri me th*ka në Berat

Detaje të reja janë hedhur në dritë sa i takon sherrit me thika në Berat, ku dy persona përfunduan me plagë të shumta në...

Faza e fundit e konfliktit dhe fati i “Foltores”

Nga: Ergys Mërtiri Pas muajsh tensione që degjeneruan deri në konfrontim fizik, përplasja Basha-Berisha po fillon të zbehet, ndërsa revolucioni i organizuar nga foltorja shkon...