Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar lidhur me dënimin me 14 vjet burg për Emiljano Shullazin. Në një shënim në Facebook, ambasada shkruan se ky është një hap domethënës përpara për të gjithë shqiptarët që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi nga sistemi i tyre gjyqësor.
Më tej, ambasada paralajmëron vendime të tjera me rëndësi, teksa e përmbyll reagimin me fjalët ‘Kush e ka radhën?’
“Dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor. Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën”?”, shkruan Ambasada e SHBA-ve në Tiranë.
Kujtojmë se Partia Demokratike nuk është e kënaqur me dënimin ndaj Shullazit dhe bandës së tij, teksa e cilësoi atë si një gjysmëfitore.