Ish zv-kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në Top Channel se Albin Kurti, në postin e kryeministrit do të punojë për popullin. “Albin Kurti u votua nga populli, por duhet të jem dhe e drejtë me LDK-në, të presim deri në numërimin e votës së fundit. Albini u votua nga populli, dhe unë besoj se do punojë në interes të Kosovës”, deklaroi Tahiri.
Ndërsa kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e pyetur nëse e priste këtë rezultat, ajo tha se fitorja ishte e pritshme. Sipas saj, qytetarët nuk mund të vazhdonin më me një qeverisje të korruptuar. “Prisnim që fitorja dhe diferenca me LDK-në të ishte më e madhe, por fitorja pritej. Qytetarët nuk mund të vazhdonin më me një qeverisje të korruptuar”.
”Sa është mundësia për koalicion me LDK-në?”, u pyet Kusari-Lila. “Po mundësitë janë të shumta. Për punët e brendshme të LDK-së nuk më takon mua të flas, por duke parë parasysh edhe diskutimet para votimeve, gjasat për koalicion janë të shumta”, tha ajo.
E pyetur për Albin Kurtin në pozicionin e kryeministrit, Kusari Lila theksoi: “Albin Kurti do të jetë kryeministër i popullit të Kosovës”.