Kurti reagon pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve: Fitoi referendumi

Kryeministri i zgjedhur në Kosovë, Albin Kurti ka reaguar pas certifikimit të zgjedhjeve, ku Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese me mbi 50% të votive.

Kurti ka shprehur falënderime për qytetarët brenda dhe jashtë Kosovës për mbështetjen që i kanë dhënë.

Ai e ka quajtur fitoren një referendum dhe ka falënderuar anëtarët e aktivistët e LVV-së për angazhimin.

”Çertifikimi i rezultateve u bë sot. Fitoi referendumi, fituam në referendum: 50,28%. Ditë e mirë për Republikën. Shans i madh për Kosovën.

Ju falemnderit të gjithë qytetarëve dhe mërgatës për votën e tyre me 14 shkurt, të gjithë anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për punën dhe angazhimin e tyre, të gjithë kandidatëve të listës sonë 127 për përfaqësimin dhe kontributin e tyre.

U jam mirënjohës përzemërsisht e përjetësisht të gjithëve. Fitorja është e secilit prej jush.  Fituam KREJT, ecim DREJT. Urime!’’, shkruan Kurti në rrjetin social, Facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi ditën e sotme, rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28% të votave. Partia e Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438.335 vota.