Kosova

“Kurti do t’i zërë në turp politikanët tanë”/ E ardhmja e Vetëvendosjes si parti në Shqipëri


               Publikuar në : 15:31 - 09/10/19 S.N

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë sollën një ndryshim të thellë në qeverisje. Me një diferencë të ngushtë njëra me tjetrën, Vetëvendosja dhe LDK-ja u shpallën dy partitë e para. Ndërkohë fitorja e Vetëvendosjes  është parë si një shpresë për gjithë mbështetësit e Albin Kurtit.

Por, teksa duket se është arritur një marrëveshje zyrtare mes dy partive, ende nuk është e sigurt vendosja e Kurtit si kryeministri i ri i Kosovës. Kjo pasi nëse Vetëvendosja do të bëjë koalicion me LDK-në, kjo e fundit kërkon që të jetë Vjosa Osmani kryeministrja e vendit.

Pedagogu Enis Sulstarova, njëherësh Kryetar i Bordit të Qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë, shprehet se kjo gjë nuk do të ndodh. Në intervistën për Tirana Today, ai foli edhe për rolin e ndërkombëtarëve në Kosovë dhe prezencën e Kurtit në Shqipëri.

“Dihet se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Populli foli dhe ai është më i votuari, Albin Kurti. Ata e kanë deklaruar që partneri kryesorë do të jetë LDK-ja. Ndaj besoj që atje kanë filluar tashmë bisedimet për të formuar qeverinë.

Koalicioni parazgjedhor nuk u bë i mundur pikërisht për emrin e kryeministrit dhe iu la ta vendoste populli i Kosovës. Ky i fundit foli dhe normalisht që kryeministër duhet të jetë Albin Kurti.”

Edhe gjatë fushatës, Kurti është shprehur se në pozicionin e kryeparalamentares propozon Vjosa Osmanin. Ka mundësi të ndodh skenari i kundërt?

Sulstarova- Kurti në tubimet elektorale e ka thënë që postin e kryeparlamentares është dakord që ta marr zonja Osmani. Nuk e di nëse zonja Osmani do ta pranojë këtë post apo do të synojë një tjetër. Por, skenari që të ndodh e kundërta, nuk mund të jetë i mundshëm. Sepse e përjashton logjika politike.

Diskutime me të tjera parti nuk ka dhe nuk besoj të ketë koalicione të tjera sepse të dyja partitë e kanë deklaruar që nuk do të bëjnë bisedime me të tjera parti.”

Sa të pranishëm janë ndërkombëtarët dhe politikat që ata vendosin, në Kosovë?

Sulstarova- Sigurisht që janë të pranishme për vetë pozicionin e veçantë që ka Kosova. Por, nuk janë ata që vendosin gjithçka. Ndërkombëtarët kanë rol ndihmës, të paktën kështu duhet ta kenë. Kam përshtypjen dhe ata e kanë dëgjuar zërin e popullit të Kosovës. Dhe po përgatisin agjendat e tyre duke e ditur se me kë kanë për të dialoguar.

Si do të ndikojë në Shqipëri dhe në politikat tona, fitorja e Albin Kurtit?

Sulstarova- Kuri do të ketë çfarë të kërkojë nga Shqipëria dhe do ta vendosë vendin tonë në pozicion angazhues më shumë se më parë, në raport me Kosovën. Albin Kurti me sinqeritetin dhe dëshirën e mirë ka për t’i zënë në turp këta politikanë. Dhe nëse ata i zë vërtetë turpi, besojë se do të bëjnë gjëra të mira së bashku me Albin Kurtin si kryeministër.

Qendra e Vetëvendosjes në Tiranë ka për synim të kthehet në parti?

Sulstarova- Këtë ja kemi lënë kohës, nuk mund të flasim tani. Ne jemi tani më shumë në kuadër të lëvizjes civile. Nuk mund të themi jo, që nuk do të ndodh, por akoma nuk ka ardhur koha./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT