E martë, 26 Janar, 2021
9 C
Tirana

Kurthi i Ramës me divorcin nga Lleshaj: Nuk është kronikë, por politikë

Nga: Lorenc Vangjeli

Në këtë botë, të drejtë kanë vetëm të vdekurit. Klodiani, i vrari tragjikisht, meriton simpatinë absolute të gjithkujt që beson se jeta është dhuratë hyjnore dhe nuk duhet trazuar kurrë nga robi. Vrasja e tij është shumë më shumë se kronikë sepse u qëllua nga një armë në pronësi të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, Rama e Lleshaj apo të dy bashkë, në mëri me njëri-tjetrin apo në mirëkuptim, përpara se të ndaheshin me dorëheqje, duhet të bashkoheshin diku gjetkë. Që pa zbardhur dita e ngjarjes tragjike, një zinxhir komandimi policor, nga poshtë-lart, duke nisur me drejtues të Shqiponjave, të drejtorisë së Tiranës e ndoshta deri tek paradhoma e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, do të duhej të ishte pezulluar nga detyra. Për hir të respektit ndaj viktimës, në pritje të hetimit të ngjarjes dhe si një akt reflektimi dhe paqtimi me ligjin. Ky akt do të dëshmonte lidership, vizion dhe kurajo politike për të trajtuar ngjarjen.

Nuk ndodhi kështu, por nga dje në mbremje është gjithçka ndryshe. Duke shkuar direkt tek largimi i ministrit të brendshëm, Rama e shndërroi kronikën në politikë. Së paku që nga shtatori marrëdhëniet e tij me Lleshajn pretendohet se ishin në mosbesim dhe të tensionuara, siç ishin me tension dhe marrëdhëniet e Lleshajt me zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, siç janë gjithashtu nën tensionin e të pathënave edhe marrëdhëniet e Drejtorit të Përgjithshëm me një grusht oficerësh karrriere afër tij, që me njërin sy shohin kryeministrin, kurse tjetrin ja shkelin 25 prillit. Rama, i di më mirë se të gjithë këto skena që luhen larg syve të publikut. Ndaj ai, duke larguar Sandër Lleshajn dhe jo Ardi Veliun e njerëzit e tij, gjeti zgjidhjen e tij: zgjodhi policinë përpara drejtuesit civil të ministrisë. Sepse policia e shtetit, pavarësisht një mijë e një njollave që mund t’ja politizojnë uniformën, është një e mirë e jashtëzakonshme publike. Eshtë një pronë e përbashkët me vlera të pallogaritshme për të gjithë. Eshtë një nga ato të mira legale që jua kupton vlerën vetëm në momentin që ato mungojnë.

Kjo është një nga ato të vërteta thelbësore që Edi Rama nuk e ka ditur në kohën kur ishte në opozitë dhe e ka mësuar vetëm tani kur është në pushtet.

Ky është thelbi i të një vërtete që Sali Berisha apo Lulzim Basha e kanë ditur kur kanë qenë në pushtet, por e kanë harruar sapo dolën në opozitë.

Vrasja e kryer nga polici me armën e shtetit është një akt individual dhe si i tillë ai duhet gjykuar nga drejtësia. Madje edhe pa u paragjykuar nga nxitjet e instiktit primitiv që kërkojnë ta shndërrojnë atë në gishtin në këmbëzën e armës që e mbante në dorë sipas rradhës, herë drejtori i policisë, herë ministri i brendshëm apo kryeministri dhe herë gjithë Policia e Shtetit. Të mallkosh organizatën me uniformë, ta konsiderosh atë fajtore në bllok, të legjitimosh shfryrjen e dufit me gurë dhe kërcënime mbi të, është më shumë se marrëzia që armatos të marrin me sharrë ndaj degës ku ka hipur.

Duke larguar ministrin e tij, Rama po kështu, ju ngriti një kurth kundërshtarëve të tij. Ai i ftoi të largohen nga kronika dhe të bëjnë politikë. Ju kërkoi të bëjnë të qartë se mbas protestave të frymëzuara nga shumë burime, të dukshme dhe të padukshme, legjitime e morale nga një anë dhe kalkulime të liga e kriminale nga ana tjetër, qëndron, siç është e udhës të qëndrojë, lidershipi opozitar. Dhe nga ky moment, gjithë situata premton të shkojë në udhën që kushtëzon vetë demokracia. Mbi këtë bazë, është tmerrësisht e nevojshme të dëshmohet një nivel tolerance ndaj protestës dhe protestuesve. Nëse një individ thyen një biznes privat, dëmton një objekt public apo edhe më keq, godet me gurë një polic, ky është një zinxhir krimesh që duhen ndëshkuar fort e me vendosmëri. Por nëse është një grup protestuesish, që kryen të njëjtat akte, ato konsiderohen revoltë dhe duhen trajtuar me maturi. Kjo është vijëza delikate që ndan barbarinë nga qytetërimi, të drejtën demokratike për të reaguar me detyrimin ligjor për të ndëshkuar.

Ky është momenti që edhe në protestë të zbresë politika. Jo se Basha do të shkulë semaforët e lali Erit në kryqëzime dhe jo se Monika do të thyejë xhamat e bizneseve anës rrugëve, por për të nxjerrë në dritë atë që luhet në terr. Protesta pati shkëndijë vrasjen e Klodianit, por ajo po vazhdon si zjarr për pakënaqësinë nga qeverisja e Edi Ramës. Dhe duhet trajtuar si e tillë. Edi Rama e bëri lëvizjen e tij. Lëvizja tjetër e tij do të jetë tek surpriza e emrit që do të pasojë Lleshajn. Mëdyshja për të zgjedhur mes oborrit të anonimëve dhe një personaliteti të fortë politik në PS, do të dëshmojë strategjinë e kryeministrit deri në zgjedhje. Mbas tij, është rradha e opozitës për të luajtur në shahun e nervave që po aktrohet dramatikisht në këto orë.

Nëse opozita do të vazhdojë të fshihet ende, njëlloj siç bëri dy vjet më parë me studentët, do të gabojë sërish. Ajo duhet të verë firmën dhe fytyrën e saj në protestë dhe të mos presë që zjarri në bulevard, t’ja pjekë fort gështenjat e saj e duke djegur kështu, tjetër kohë të çmuar për një vend të lodhur nga halle ekzistence. Ndryshe, palët thjesht do të kompaktësojnë rradhët e militantëve, që e kanë të ndarë mendjen si do të votojnë, por do të largojnë të pavendosurit që në prognoza delikate për 25 prillin, do të vendosin fituesin. Në të gjitha rastet, të pavendosurit votojnë për sigurinë e pronës dhe jetës, për policinë si trupë të domosdoshme për publikun, përpara ambicjes së civilëve për pushtet. Vonesat, mëdyshjet, kërcënimi për të lënë kryeqytetin në dorë të zjarrit për gështenjat e pushtetit, duket sikur do të lëndojnë e dëmtojnë Edi Ramën, por në fakt rrisin shanset e rindëshkimit me votë të opozitës. Duke e ndarë protestën nga shkaku dhe duke u marrë me problemin, realizohet edhe detyrimi njerëzor për të qetë Klodianin. Të vetmin njeri që ka të drejtë në këtë histori me plot gabime. Ai pagoi padashur me vdekjen e tij tragjike, gjithë deformimet e një klase politike të padrejtë, e cila shpesh thotë atë që nuk ka ndërmend të bëjë dhe pothuaj gjithmonë bën të kundërtën e asaj që thotë!

 

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

I doli emri tek përgjimet, Ilir Kulla i çon mesazh gazetarit live në emision

Ilir Kulla, këshilltari i presidentit Ilir Meta, ka reaguar pas publikimit të emrit të tij në përgjimet e Ndraghetës në Itali. Gjatë emisionit “Opinion”, Kulla...

Gazetarja Lala: Antonio Gallo ka hyrë dhe ka dalë me dhjetëra herë në Shqipëri

Gazetarja Klodiana Lala, ka dhënë detaje të tjera në lidhje me përgjimet e antimafias italiane, ku flitej për politikanë shqiptarë të lidhur me Ndrangheta-n. Ajo...

Përgjimet/ Lubonja: Deklaratë e poshtër e ambasadorit italian, bashkëfajtor

Analisti Fatos Lubonja, e ka cilësuar të poshtër deklaratën e ambasadorit italian, Fabrizio Buçi, i cili reagoi në lidhje me përgjigjet e Antimafias italiane...

Kreshnik Spahiu: Ndragheta nuk hyn tek ne sepse ka frikë nga mafia shqiptare

Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka dhënë një ide tjetër lidhur me përgjimet e antimafias për lidhjet e Ndrangheta-s me mafien shqiptare. Sipas tij, Ndrangheta...

Aksident në Vlorë, humb jetën punonjësi i policisë (Emri)

Një aksident i rëndë nga ndodhur në qytetin e Vlorës, ku për pasojë ka humbur jetën një punonjë i policisë. Në aksident janë përfshirë dy...