“Mona Lisa” ose “La Gioconda” është, deri më sot, vepra e artit më e mirënjohur, më e vizituar, më e shumëpërfolur dhe më e parodizuar në botë. Gjysmë-portreti i Lisa Gherardini-it, realizuar nga artisti italian i Rilindjes, Leonardo da Vinci, mbart një histori ngjarjesh. Më e famshmja ka ndodhur në 21 gusht 1911, kur piktura u grabit.
Ishte piktori francez, Louis Béroud, i cili shkoi në Luvër të nesërmen dhe konstatoi se piktura çuditërisht mungonte. Ndërsa kërkonte të skiconte Mona Lisa-n, ai pyeti rojet e sigurisë se ku ndodhej tabloja e famshme, por ata iu hamendësuan se ishte duke u fotografuar për disa reklama të muzeut. Louis u rikthye në seksionin e Mona Lisa-s disa orë më vonë, vetëm për të zbuluar se piktura sërish mungonte nga stenda prej hekuri ku ishte menduar të qëndronte.
Mona Lisa ishte vjedhur vërtet. Luvri u mbyll për një javë të tërë, ndërsa, në të njëjtën kohë, nisi një hetim. Fillimisht, policia cilësoi si të dyshuar për këtë grabitje, një artist të quajtur Gery Piéret, i cili kishte një histori të mëhershme vjedhjeje në Luvër.
Hetuesit s’mundën ta gjejnë Piéret në qytet, prandaj shkuan tek punëdhënësi i tij, Guillaume Apollinaire. Poeti i njohur francez dhe parardhësi i Surealizmit, ishte shndërruar në një të dyshuar, për shkak të deklaratave të mëhershme dhe të përsëritura publike se Luvri duhet të digjej. Ai u arrestua dhe burgos, në një kohë që edhe miku i tij Pablo Picasso u bë viktima e pafat e fajit, për shkak të shoqërisë së përbashkët që kishin.
Piktori spanjoll ishte i dyshuar sepse në të kaluarën, kishte blerë disa koka guri iberike nga Piéret, pa e ditur se ky i fundit i kishte vjedhur më herët nga muzeu francez. Të dy, si Picasso, ashtu dhe Apollinaire, u liruan më vonë nga të gjitha akuzat.
Hajduti i vërtetë u zbulua dy vjet më vonë: ai ishte Vincenzo Peruggia, i cili kishte punuar më parë në Luvër. I lindur në Itali, Peruggia kishte kryer atë që është përshkruar si grabitja më e madhe e një vepre arti, në shekullin XX. Ngjarja ishte pothuajse e ngjashme me një episod thriller; pasi e kreu grabitjen e kryeveprës së Da Vinci-t gjatë orarit zyrtar të punës në muze, duke u fshehur në një dollap dhe ecur me pikturën e fshehur nën mantelin e tij.
Si një patriot italian, Vincenzo besonte se piktura duhej rikthyer në vendlindje për t’u shfaqur në një muze italian. Sipas hetimeve, Peruggia ndoshta u motivua për të vjedhur pikturën, për shkak të një miku që zotëronte një kopje të origjinalit. Supozohej se kopjet e kryeveprës, do të pësonin një rritje dramatike të çmimit të tyre, në qoftë se do të zhdukej piktura origjinale.
Në vitin 1932, një artikull i botuar në gazetën “The Saturday Evening Post”, pretendonte se organizatori i vjedhjes së Mona Lisa-s kishte qenë argjentinasi, Eduardo de Valfierno, i cili dyshohej se kishte paguar disa burra, duke përfshirë edhe Peruggia-n, për të vjedhur pikturën e çmuar.
Sipas këtij varianti të historisë, Valfierno kishte porositur restauruesin francez të artit, por dhe mashtruesin e magjistarin Yves Chaudron, për të bërë 6 kopje të Mona Lisa-s, të cilat do të transportoheshin dhe shiteshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, Mona Lisa origjinale mbeti në Evropë, e ruajtur në mënyrë të sigurt në banesën e Peruggia-s. Ai u kap, pasi u përpoq t’ia shesë pikturën, drejtorëve të galerisë Uffizi në Firence. Në fakt, piktura u ekspozua në galerinë italiane për pak më shumë se dy javë dhe, më pas, u kthye në Luvër, më 4 janar 1914.
Peruggia u dënua me 6 muaj burg për vjedhje, por u përshëndet për patriotizmin e tij në Itali.
Pikërisht falë tij, Mona Lisa u bë realisht e famshme. Përpara kësaj ngjarje, piktura e Rilindjes ishte pak e njohur jashtë rretheve artistike. Skandale të tjera do të ndodhnin me pikturën në dekadat që pasuan. Në vitin 1956, një pjesë e Mona Lisa-s u dëmtua pasi një vandal derdhi acid mbi të. Një pikël e pigmentit pranë bërrylit të majtë të Mona Lisa-s u dëmtua, dhe në 30 dhjetor të po atij viti, u qëllua me një gur, por dëmi u riparua shpejt.
Në vitin 1974, kur piktura po shfaqej në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Tokios në Japoni, një grua e mërzitur nga politikat e muzeut ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, e leu me ngjyrë të kuqe. Në një kohë që në vitin 2009, një grua nga Rusia, e irrituar, pasi nuk iu dha nënshtetësia franceze, e qëlloi me një filxhan çaji pikturën e famshme. Fatmirësisht, pavarësisht dy incidenteve të fundit, kryevepra mbeti e padëmtuar për shkak të mbrojtjes nga xhami antiplumb.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce