Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka folur në lidhje me situatën e krijuar në vend, që nga shpërthimi i koronavirusit.
Në një komunikim virtual me gazetarët, Basha tha se nuk mund të japë një datë konkrete se kur mund të dalë vendi nga izolimi. Ai shtoi se në lidhje me këtë nuk ka asnjë plan konkret edhe nga qeveria.
Sipas tij, situata do të ishte shumë më e qartë, nëse në Shqipëri do të ishin kryer testime masive për COVID-19.
“Kush flet për momentin se kur duhet të dalë Shqipëria nga izolimi, duhet të na tregojë autoritetin, ose ja fut kot. Unë nuk kam ndërmend t’ja fus kot. S’mund ta themi sot se çfarë rrjedhje do ketë pandemia. Do e thoshim nëse do kishim mjaftueshëm testime. Para 4 ditësh ka pasur anëtarë të maxhorancës që kanë pranuar se numri i të infektuarve është më i madh. Që do të thotë se numri i viktimave është më i madh dhe numri i mbartëseve në kontakt me qytetarët është i madh. Ndaj mbartësit duhet të izolohen. Nëse një person infekton dy të tjerë, pandemia do të zgjerohet. Ndaj duhet të rrisim numrin e testimeve. Shqipërisë i duhet një strategji e re për të dalë nga kjo situatë. Nuk mund të dalësh nga një zjarr i madh me sy të lidhur dhe ku nuk i di se ku i ke vatrat. Nga ana tjetër s’mund ti thuash qytetarëve që të qëndrojnë pa fund në shtëpi. Ndaj duhet të rritet numri i testimeve. Të flasim për hapa konkrete kur nuk kemi një strategji, është spekulative. Ky është problemi kryesor. Ndaj nëse s’ke strategji, po improvizon. Po është i pakuptueshëm dhe i pafalshëm në javën e 5 apo të 6 të emergjencës. Kjo tregon se nuk ke plan e strategji, dhe pastaj këpusim kodra pas bregut. Kam vënë në dispozicion të institucioneve edhe zyrtarisht pikëpamjen tonë për të dalë nga kjo situatë. Pres, por jo shumë gjatë, që të nisë një strategji e re, për gjurmimin e burimeve dhe paraqitje të qartë të situatës. Më e rëndësishme, tranzicioni, nga karantina, tek rihapja e ekonomisë. Ndaj duhet një plan. Asgjë se zëvendëson planin, as duke folur në hava, si shkohet apo nuk shkohet në plazh”, tha ai.