Mirela Kumbaro ka refuzuar dje përmes një shkrese, “gjyqin publik” për Teatrin Kombëtar. E justifikuar përmes agjendës së ngjeshur, Ministrja e Kulturës, refuzoi edhe një herë tjetër që të bënte transparencë.
Mirela Kumbaro refuzoi Parlamentin për të bërë transparecën mbi projekligjin e shembjes së Teatrit Kombëtar. E ndërsa sot, janë artistët që refuzojnë ftesën e Veliajt, duke e bojkotuar atë që e cilësojnë si farsë.
Me anë të një deklarate, dy sindikatat e artistëve janë të mendimit se ende s’ka një kompromis dhe se ndërtesat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental duhet të shpallen monument kulture.
“Nuk ka në horizont asnjë kompromis, madje asnjë afrim në pozicionet e palëve. Sindikatat mbeten të vendosura në qëndrimin e tyre, se ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, duhet të shpallen monument kulture, dhe pas një debati të gjerë publik, me pjesëmarrjen e arkitektëve, konstruktorëve, restauratorëve, artistëve por edhe qytetarëve, të merret vendimi nëse ato duhet të rikonstruktohen apo restaurohen. Çdo opsion tjetër është i panegociueshëm për ne! Së dyti, Veliaj e ka kompromentuar dëgjesën pa filluar ende. Ai nuk vjen për të dëgjuar, pra, duke qenë i hapur edhe të tërhiqet nga pozicioni i tij fillestar, por për të na bindur, ose manipuluar”, shprehen ata.
“Sindikatat e artistëve refuzojnë të bëhen pjesë e farsës së radhës, rezultati i së cilës është paracaktuar nga organizatori dhe u bëjnë thirrje të gjithë artistëve, arkitektëve dhe qytetarëve të Tiranës, ta bojkotojnë këtë farsë.
Sindikatat e artistëve mbeten të vendosura për dialog, në të mirën e komunitetit të artistëve dhe interesit më të mirë publik, mbrojtjen e trashëgimisë dhe kursimin e fondeve publike që krijohen nga taksat e shqiptarëve. Për këtë qëllim, ne e ftojmë z. Veliaj në një dëgjesë të hapur, në sallën e Teatrit Kombëtar, me një panel artistësh, arkitektësh, restauratorësh dhe intelektualësh, të ftuar nga sindikatat”.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, të dielën Veliaj shprehu bindjen se sa i takon çështjes së ndërtimit të teatrit të ri, do të triumfojë arsyeja mbi nostalgjinë, për t’u siguruar se shqiptarët në 100 vitet e ardhshme do të kenë një teatër të ri dhe modern.
TIRANA TODAY