Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, teksa ka folur në “Dritare me Rudinën” në “News 24” për 13-vjeçaren, tha se ky është një fenomen që ndodh kudo. Ngjarja e rëndë që ka ndodhur në shkollën “Rilindja” në Kavajë, është trajtuar gjatë emisionit, ndërsa Kumbaro ka sjellë edhe historinë personale me fëmijët e saj.
“Të gjithë ne kur kemi një problem, shqetësimin e parë do e ndajmë me mësuesen kujdestare. Kam 2 fëmijë të rritur, që kanë frekuentuar shkollat në Tiranë.
Këto janë fenomene që ndodhin kudo. Nuk kam pasur frikë tek fëmijët e mi për dy arsye, sepse jam përpjekur të ruaj komunikimin me fëmijët dhe me shkollën çdo ditë.
Kam reaguar fort kur ndodhin këto fenomene. Kur fëmija fillon të komunikojë, mendoj se mund të mbrohet. Në një moment paniku krijohet një emocion më i ngritur, por mendoj se këtë lloj alarmi ta mbajmë në vëmendje duke folur. Duhet të flasim çdo ditë në mënyrë reale, dhe jo kur ndodh një episod”, tha Mirela Kumbaro.