Ka mjaftuar vetëm një barazim në ndeshjen ndaj maltezëve të Valleta dhe tek Kukësi “pritet” koka e trajnerit. Presidenti Gjici gjithmonë ka qenë i paduruar kur vjen puna për sukses, por në deklaratën që ka dalë Kukësi sqaron se ky shkarkim ka ardhur pasi nuk kanë rënë dakord për kushtet financiare mes palëve për rinovimin e kontratës.“FK Kukësi ka vendosur që të mos rinovojë kontratën me trajnerin, Peter Pacult. Dy palët nuk kanë rënë dakord për pretendimet financiare, kështu që klubi i Kukësit e falënderon për punën e bërë dhe i uron suksese trajnerit Pakult në karrierën e tij të mëtejshme.
Klubi dhe ekipi vijojnë me intensitet punën dhe stërvitjen për të kaluar në turin tjetër të Champions-it dhe nesër do të kemi në drejtim një trajner tjetër, që merr përsipër objektivat e klubit dhe ka përvojën dhe profesionalizmin e duhur për ta drejtuar FK Kukësin”.
Ndërsa menaxheri i trajnerit Pakult, Marian Prela ka sqaruar për “VIP Sport” arsyen e vërtetë të shkarkimit të trajnerit. Prela është shprehur se mënyra se si Kukësi e largoi trajnerin nga posti, ishte e turpshme duke qenë se atij i ishte premtuar vazhdimësi dhe shkarkimi ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm.“Në fakt u çudita kur mora vesh se Pakulti u shkarkua dhe nuk do të ishte më pjesë e Kukësit. Ishte mënyra më e turpshme nga stafi për t’i bërë një largim të tillë një trajneri të madh dhe profesionist si Peter Pakult. Kam kontaktuar me të dhe më tha se po largohet drejt Durrësit për të kaluar pak kohë vetëm, pasi ishte ofenduar shumë nga mënyra se si Kukësi e largoi.
Arsyet? Kushtet financiare që pretendohen nga klubi, nuk kanë të bëjnë aspak në largimin e trajnerit, duke qenë se ka hyrë në fuqi kontrata për të cilën është rënë fillimisht dakord dhe s’ka asnjë arsye për të diskutuar. As ndeshja me Valetën, nuk mendoj se ka ndikuar në largimin, pasi janë luajtur vetëm 90 minuta dhe në dispozicion janë edhe 90 minuta të tjera.
Nuk i di me saktësi se kush, por te Kukësi janë 3-4 futbollistë, të cilët i janë ankuar presidentit Gjici se Pakulti ua bën stërvitjen në orar të papërshtatshëm, duke qenë se temperaturat janë të larta. Në fakt, nuk mund të konsiderohet orar i papërshtatshëm ora 9-10, pasi të gjithë i dimë kushtet atmosferike në Shqipëri.
Gjithashtu, janë shprehur se ai i lodh shumë në stërvitje dhe se nuk bën asgjë taktike, gjë të cilën vetë trajneri Pakult e ka hedhur poshtë. Trajneri i ka kërkuar Gjicit një ndihmës të tijin, por kërkesa është hedhur poshtë pa u diskutuar aspak.Një klub serioz, nuk duhet të bëjë këto sjellje, pasi nuk i bëjnë mirë askujt, duke ditur se vetëm pak ditë më vonë, Kukësi ka ndeshjen e kthimit me Valetën. Edhe një çift, burrë e grua kur ndahen, ndahen me mirëkuptim, ndërsa Kukësi e largoi Pakultin pa i thënë asgjë.
E ardhmja e tij? Unë kam pasur oferta nga disa klube të mëdha jashtë Shqipërie për trajnerin dhe në ditët në vijim do të shohim. Nëse do të ketë ofertë bindëse nga Shqipëria, them se mund të qëndrojë edhe atje”, u shpreh menaxheri Prela.
Emri më i përfolur për të pasuar trajnerin austriak në stolin e Kukësit është ai i shkodranit Armando Cungu. Bëhet fjalë për një rikthim të tij në këtë pozicion, sepse i ka drejtuar edhe më parë verilindorët suksesshëm, duke kaluar deri në turin e katërt eliminator të Ligës së Europës, në vitin 2013.