Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Këtë fundjavë u bëmë dëshmitarë të shfaqjeve të dy kundërshtarëve kryesorë politikë në Shqipëri. Të shtunën, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha udhëhoqi një protestë të opozitës, e cila u njollos nga hedhja e shashkave e bombave Molotov dhe dhuna ndaj policëve, pa ofruar asnjë propozim të vetëm politik, ndërsa një ditë më pas Kryeministri Edi Rama përdori edhe njëherë “kontratën e tij me njerëzit” që ai nuk mund ta thyejë duke dhënë dorëheqjen.
Secili ka zënë qoshen e vet, por vetëm njëri, Basha, përballet më një problem jetik.
Kryeministri Rama vazhdon të ketë mbështetjen jo shumë entuziaste të bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk dëshiron të shkaktojë paqëndrueshmëri në Ballkan. Duket gjithashtu se ai nuk po merr ndonjë reagim shumë negativ për parlamentin e zbrazët (jokushtetues), ku po instalon ngadalë një “opozitë hije” e cila mund t’i sigurojë atij mjaftueshëm vota për të miratuar çdo ligj që ka nevojë për shumicë të cilësuar. Të paktën kështu mendon ambasadori i BE-së Luigi Soreca kur shprehet për arritjen dhe zbatimin e shpejtë të një reforme zgjedhore.
Në të njëjtën kohë, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore, të bojkotuara deri tani nga opozita, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, ndërsa ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt nuk ka mohuar mundësinë që OSBE do t’i njohë zgjedhjet edhe nëse opozita nuk do të marrë pjesë në to.
Me pak fjalë, deri tani veprimet dhe protestat e opozitës nuk e kanë dobësuar bazën e pushtetit të Ramës, dhe as perspektivën e tij për të fituar një shumicë të madhe në qershor.
Rreziqet për opozitën, dhe në veçanti për udhëheqësin e PD-së, janë shumë më të larta. As Basha dhe as ish-deputetët e tij nuk kanë më vend në asnjë nga tavolinat ku merren vendimet, dhe vizitat e diplomatëve të huaj tek ta janë kthyer në vizita për mirësjellje.
E gjithë ideja e braktisjes së Parlamentit ishte që Basha t’i kthehej popullit dhe të ofronte një vizion të ri për Shqipërinë, por për fat të keq, shumë pak nga ky vizion i ri ka marrë formë. Parrulla të tilla si “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Rama ik” janë rikthim tek protestat e mëparshme kundër qeverisë në vitet 1990-të dhe në fillim të viteve 2000, e nuk ofrojnë asgjë të re. Për më tepër, e vetmja kërkesë këmbëngulëse e opozitës ka qenë largimi i Ramës dhe formimi i një qeverie tranzitore, pa asnjë ide tjetër se si do të arrihej dhe funksiononte kjo gjë ligjërisht apo praktikisht.
Kuadri ligjor shqiptar nuk ofron asnjë mundësi për të negociuar një qeveri kalimtare me një opozitë jashtëparlamentare, edhe nëse Rama pranon të japë dorëheqjen. Një qeveri e tillë kalimtare duhet të përcaktohet nga një konsensus parlamentar.
Nëse opozita imagjinon të ripërsërisë marrëveshjen McAllister + të vitit 2017, bën mirë të kujtojë se OSBE-ODIHR e kritikoi ashpër marrëveshjen, e cila shkeli në masë Kodin Zgjedhor. Një marrëveshje tjetër e negociuar midis Ramës dhe Bashës do të shkatërronte edhe më shumë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe do të konsolidonte precedentin e rrezikshëm të marrëveshjes McAllister +; pra se politika qëndron mbi sundimin e ligjit.
Pastaj, mbetet edhe çështja praktike e dorëheqjes së Ramës. Edhe nëse do të japë dorëheqjen si kryeministër, ai do të mbetet kreu i Partisë Socialiste dhe, si rezultat, do të jetë negociatori kryesor në çdo bisedim për qeveri kalitare. Ai do të mbetet personi me të cilin do të ndiheshin personalisht të lidhur dhe besnikë shumica e politikanëve dhe mbështetësve të PS-së dhe, nuk ka gjasa, që Basha të sigurojë një mbështetje kaq të madhe popullore sa disa prej tyre të ndërronin anë.
Këtu qëndron problemi kryesor i Bashës: ai kërkon dorëheqjen e Ramës nga pozita të dobëta. Disa nga mbështetësit e tij mund të hedhin bomba molotov, por nuk do të jenë në gjendje ta rrëzojnë qeverinë, nëse ai nuk u jep përkrahësve të tij dhe qytetarëve shqiptarë diçka për të cilën ja vlen të luftohet. Dhe kjo do të thotë, fare thjeshtë, propozime politike që do të përmirësojnë ndjeshëm jetën e shqiptarëve nëse ato vihen në zbatim.
Deri më tani, pjesa më e madhe e planeve të paraqitura nga PD nuk janë gjë tjetër vecse hapja e kuletës së shtetit për të shpërndarë para me anë të subvencioneve dhe uljes së taksave. Por teza “do ju jap para” nuk është argument bindës, aq më tepër nëse është i vetmi argument që bëhet.
Ajo që ka nevojë Shqipëria është një vizion për ta shndërruar ekonominë nga një sistem oligarkik të ngritur mbi paranë kriminale që pastrohet me anë të pasurive të patundshme në një ekonomi të ngritur vërtet mbi pasuritë dhe mundësitë njerëzore dhe natyrore që afron Shqipëria, vecanërisht në turizëm, bujqësi dhe minerale.
Duke kërcënuar se do të zhbëjë të gjitha kontratat e koncesioneve jo vetëm që rrezikon përballjen e Shqipërisë me kosto gjigande në arbitrazh ndërkombëtar; por, mbi të gjitha, nuk zgjidh asnjë nga problemet themelore: krijimin e vendeve të punës, shëndetësinë dhe arsimin, menaxhimim e mbetjeve.
Për reformat e tjera të mëdha nuk kemi dëgjuar asgjë nga opozita në asnjë nga protestat e saj. Ku është mbrojtja për sundimin e ligjit, e kërcënuar seriozisht nga reforma në drejtësi e dalë nga binarët?
Ku janë propozimet për një reformë zgjedhore, që përmban vërtetë vizionin për t’u dhënë fuqi votuesve shqiptarë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe për të kufizuar ndikimin e parasë kriminale? Ku janë propozimet për infrastrukturën, për teknologjinë, për emigracionin, për politikën e jashtme?
Kabineti i Ramës është i mbushur me injorantë dhe amatorë, por nëse opozita nuk promovon asnjë alternativë tjetër, de facto ata do përcaktojnë debatin.
Kaq e vështirë qenka të gjesh dikë më vizionar për politikën e jashtme se sa Gent Cakaj?
A nuk mund të gjejnë, ata, një njeri të aftë të hartojë një masterplan për arsimin më të mirë se Besa Shahini? Po për financat dhe ekonominë kaq e vështirë është të gjesh dikë më pak të padukshme se Anila Denaj?
Vetëm me një diskurs që ngjall shpresë dhe besim tek ata që nuk janë militantë apo mbështetës të PD-së, vetëm me plane të cilat do të mund të tërheqin votuesit nga rradhët e PS-së, përpjekja e Lulzim Bashës për të ndryshuar politikën shqiptare mund të jetë e suksesshme.
Shembulli i fundit i Turqisë tregoi se as kontrolli total mbi procesin zgjedhor nuk arriti ta shmangë humbjen e Erdoganit në Turqi.
Edhe pse u arrestuan dhe u burgosën, edhe pse çdo gazetë opozitare u mbyll, edhe pse partia e Erdoganit kontrolloi të gjithë procesin politik, sërish opozita e bashkuar arriti të bëhet një grusht i fuqishëm dhe të fitonte të gjitha bashkitë kryesore të Turqisë.
Ata nuk fituan për shkak të protestave të përditshme me molotov dhe me parrullën e përsëritur papushim “Erdogan Ik”.
Një fitore e tillë zgjedhore — e cila pas të gjithave, është e vetmja fitore e cila duhet të ketë rëndësi — kërkon aleanca të zgjuara, një program politik dhe një vizion të vërtetë.
Shqipëria është e lodhur me Ramën, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por, nëse opozita nuk kërkon që të bëjë një ndryshim të vërtetë dhe nuk heq dorë nga përsëritja e lodhshme e qasjeve të vjetra, qeveria nuk do të ndryshojë dhe as Rama nuk do të ikë./ Exit.al