Vetëm gjashtë persona nga Shqipëria kanë mbetur në palestrën e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, nga 120 që ishin të strehuar pas tërmetit.
Xhevahir Ragipi ka qëndruar një javë këtu me familjen e tij dhe të enjten po pret që të niset për në Durrës, raporton “KTV”.
Qytetarët e tjerë që u strehuan në Prizren pas tërmetit të 26 nëntorit, po kthehen në mënyrë vullnetare nëpër shtëpitë e tyre.
Drejtori i Emergjencës në Prizren, Faruk Dakaj thotë se ata po kërkojnë vetë që të kthehen në Durrës.
Ndërkohë, thirrje qytetarëve për t’u kthyer në Shqipëri u ka bërë të enjten edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Ai ka theksuar se situata po shkon drejt përmirësimit dhe të kthyerit do të akomodohen nëpër hotele.
Kujtojmë se vetëm në Kampin Inovativ në Prizren, u sistemuan mbi 500 shqiptarë të prekur nga tërmeti.